Vasili: S’ka kohë për të humbur, të hartohet një draft i përbashkët konsensual
Ndryshe nga socialistët dhe demokratët me interpretimet që i bënë raportit të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon konsensus politik për të hartuar draftin e kësaj reforme.Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një dalje për mediat kërkoi mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Posaçëm, për këtë reformë, pasi siç tha ai nuk ka më kohë për të humbur.Vasili: Pa humbur asnjë minutë kohë, do të duhet që të fillojë intensivisht nga puna Komisioni i Posaçëm i ngritur për Reformën në Drejtësi. Të diskutohet gjerësisht dhe të arrihet në përgatitjen e një drafti konsensual, që do të na çonte në sallën e Parlamentit me një produkt të konsoliduar. Çdo minutë kohe duhet përdorur për të arritur sa më parë një draft konsensual.Për numrin dy të LSI-së, përfundimi me sukses i reformës në drejtësi është detyrë e politikës ndaj qytetarëve të cilët e kërkojnë me ngut atë.Vasili: Kemi të gjithë detyrimin ndaj shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që e kërkojnë këtë reformë në drejtësi. Pra, nuk kemi më kohë për të humbur dhe për të ulur në tavolinë dhe për të ndërtuar atë dialog politik, që i lexon të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias në mënyrë të paanshme.Vasili nuk sheh asnjë pengesë në këtë proçes, pasi sipas tij palët politike kanë shprehur angazhimin e tyre për kontribut, aq më tepër kur monitoruesi kryesor është Komisioni i Venecias i pranuar nga të gjitha forcat politike.Ndërkohë PD ka kërkuar mbledhjen e një tryeze politike për të diskutuar mbi reformën.