Gjiknuri në takimin e 10 shteteve për gazin në Azerbajxhan, degëzimi i TAP edhe me Kosovën
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri mori pjesë në punimet e takimit të dytë të Këshillit të Ministrave të Energjisë së Korridorit Jugor të Gazit, pjesë e të cilit është edhe gazsjellësi TAP. Ministri Gjiknuri deklaroi se financimet për projektin TAP janë të mundshme.“Në këtë takim u theksua edhe njëherë rëndësia e Korridorit Jugor të Gazit dhe mbi të gjitha angazhimi që kanë marrë të gjitha shtetet për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, pra bëhet fjalë për projektin TANAP dhe TAP. Doli shumë e qartë se progresi i TAP është i dukshëm dhe u konfirmua dhe njëherë se financimet janë të mundshme, u garantua se punimet në terren në Shqipëri për tubacionin do të fillojnë në mesin e këtij viti”, u shpreh Gjiknuri.Tryeza e ministrave ra dakord gjithashtu që të promovojë zgjerimin e Korridorit Jugor të Gazit me tregje të tjera, përfshirë edhe ato jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, siç janë vendet e Komunitetit të Energjisë në rajonin e Ballkanit përmes projektit të gazsjellësit Jonian-Adratik (IAP) dhe interkonektorit Greqi-Bullgari.“Edhe në deklaratën përfundimtare u përfshi dhe gjeti mbështetje nga vendet pjesëmarrëse ideja e zgjerimit të këtij projekti me atë që tanimë njihet si gazsjellësi Jonian-Adriatik (IAP). Aktualisht, Shqipëria bashkë me Malin e Zi kanë aplikuar në Komisionin Evropian për financimin e dizajnit përfundimtar të këtij gazsjellësi. Nga ana tjetër, u përmend edhe aplikimi që ka bërë Shqipëria dhe Kosova për studimin e fizibilitetit të degëzimit të mundshëm të gazsjellësit me segmentin Shqipëri-Kosovë”, sqaroi Gjiknuri.Ai theksoi se “këto janë zhvillime të rëndësishme që u theksuan edhe njëherë dhe gjetën mbështetjen e gjithë pjesëmarrësve në këtë takim, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komisionit Evropian dhe të gjitha shteteve të Korridorit të Jugut”.Në takim merrnin pjesë ministrat e Azerbajxhanit, Shqipërisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Italisë, Turqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Britanisë së Madhe.Të pranishmëve ju drejtuan me përshëndetje të rastit Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, përfaqësuesi i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Energjinë Amos J.Hochstein, zëvendës Presidenti i komisionit Evropian Matros Sevcovic dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian Federica Mogherini./Ora News/