Byroja e Hetimit, Komisioni i Venecias kërkon të jetë institucion i pavarur
Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të jetë një institucion i pavarur. Ky është opinioni që jep Komisioni i Venecias.Në dokumentin prej disa faqesh në lidhje me reformën në drejtësi, theksohet se për njësinë e posaçme antikorrupsion dhe krimin e organizuar, e cila është e përbërë nga zyra e prokurorisë dhe byroja e kombëtare e hetimit, ka disa modele.“Ka një sërë modelesh për zyra të tilla. Në disa raste, prokuroria speciale mbetet formalisht pjesë e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, por si njësi autonome, në mënyrë që të mos ndikohet nga zyrtarë të tjerë, prokurorë ose nga qeveria. Në raste të tjera, zyra të tilla janë krijuar tërësisht të pavarura. Qartësimi i pavarësisë së prokurorisë speciale nga Prokuroria e Përgjithshme i përfshirë në draft-amendamentet e rishikuara është një dispozitë e mirepritur për të implementuar rekomandimin e opinionit të brendshëm”.Komisioni i Venecias në oponionin e tij ka qenë mbështetës ndaj idesë së krijimit të njësive të specializuara investiguese dhe prokuroriale kundër korrupsionit, të cilat në vetvete gëzojnë një autonomi të caktuar nga Prokuroria e Përgjithshme.Më tej në opinionet e tij, Komisioni i Venecias ndalet tek fakti se ka paqartësi sa i përket zgjedhjes së drejtuesit të Prokurorisë Speciale.“Neni 148 parashikon zgjedhjen e Shefit të Prokurorisë Speciale, nga rradhët e 'anëtarëve të zyrës', por nuk jep sqarim se nga cili do të mbahen zgjedhjet. Do të jetë e nevojshme që të ketë një metodë zgjedhjeje, nga e cila të përjashtohet sa më shumë ndikimi i politikës. Metoda e zgjedhjeve duhet që të marrë në konsideratë ndjekjet penale ndaj prokurorëve të tjerë si dhe gjyqtarëve. Është gjithashtu e paqartë se kujt i përgjigjet shefi i Prokurorisë Speciale dhe nëse është apo jo i pavarur nga Shefi i Prokurorisë së Përgjithshme. Pavarësia e Shefit të Prokurorisë Speciale, nuk nënkupton se nuk duhet të japë llogari tek askush”.Në lidhje me draftin final të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, kreu i Komisionit të Posaçëm Fatmir Xhafaj nuk ka pranuar të japë komente.Ndërsa ende nuk ka asnjë reagim nga Partia Demokratike.