Bushati: As do t'i hapim, as do t'i mbyllim kufijtë. Rusia s'është kërcënim në Ballkan
Refugjatët sirianë i afrohen gjithnjë e më shumë Shqipërisë, ndërsa deklaratat për këtë çështje nga autoritetet të larta shtetërore janë të ndryshme e madje edhe kontradiktore.Ndërsa pak ditë më parë kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive tha se nuk do të hapim kufirin dhe se nuk mund të shpëtojmë botën, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës se "Shqipëria as do t'i hapë por as do t'i mbyllë kufijtë në rastin e një vërshimi refugjatësh nga Lindja e Mesme, por thekson se do ti qëndrojë besnike vlerave europiane".Ditmir Bushati: Asnjë vend i Bashkimit Evropian siç duket nuk i ka burimet e duhura njerëzore, financiare apo kapacitetet për të akomoduar një numër të papreçedent të refugjatëve që vijnë kryesisht nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Por, siç e theksova, është e rëndësishme që të ketë një përgjigje të përbashkët europiane për këtë sfidë, e cila është e përbashkët. Mbyllja e kufijve në mënyrë individuale që mund të kenë bërë vende të caktuara, ndërtimi i mureve, apo i pengesave, barrierave të ndryshme nuk është zgjidhja e problemit, sepse krijon një reaksion zinxhir, efekt zinxhir tek fqinjët e tjerë.Pyetje: Po si do ta interpretonit ju atë që la të kuptohet Kryeministri Rama, i cili tha që Shqipëria nuk ka ndërmend të hapë kufijtë?Ditmir Bushati: Pikërisht, në këtë që sapo thashë, që Shqipëria as nuk do të hapë kufijtë, as nuk do të mbyllë kufijtë. Shqipëria do t'i qëndrojë besnike vlerave europiane, angazhimeve të ndërmarra në këtë kuadër që në tetorin e vitit të kaluar.Bushati foli edhe për strehimin e muxhahedinëve në vendin tonëDitmir Bushati: Shqipëria, dhe këtu e kam fjalën për disa qeveri, jo thjesht për qeverinë tonë, por edhe ajo paraardhëse, ka pasur një qëndrim të qartë për sa i përket kësaj çështjeje. Ka kontribuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht me UNHCR-në për të krijuar kushtet e përshtatshme që këta persona të vijnë në territorin e Shqipërisë vetëm për arsye strikte humanitare dhe për asnjë lloj arsye tjetër. Besoj se detajet, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën do të bëhen të ditura në mënyrë më graduale.Ministri i jashtëm deklaroi më tej se nuk e sheh Rusinë si kërcënim në BallkanDitmir Bushati: Nuk e shoh Rusinë si një kërcënim në Ballkan, por nga ana tjetër nuk e shoh as komplementare apo përplotësuese me vizionin udhëheqës që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor për t'u bërë në një të ardhme jo të largët anëtarë të Bashkimit Evropian, as përmes praktikave, as përmes politikave të ndjekura, dhe as përmes modeleve që synohen të implementohen.Duke u ndalur te vizita e tij në Nju Jork Bushati tha se ka diskutuar me zyrtarë të lartë amerikanë për cështje të sigurisë dhe për intensifikimin e marrëdhënieve dy palëshe./Oranews.tv/