Kodheli fushatë promovuese për rekrutimet e reja në Forcat e Armatosura

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli zgjodhi qytetin e Vlorës për të mbyllur fushatën promovuese për rekrutimet e reja për ushtarë dhe detarë aktivë në Forcat e Armatosura.E shoqëruar nga zv.Ministri Petro Koci, Kodheli u takua me maturantë të shkollave të mesme "Mustafa Qemal Ataturk" dhe "Ali Demi, të cilëve u foli për mundësitë që u ofrohen përmes aderimit në Forcat e Armatosura.Mimi Kodheli: "Po pse një njeri duhet të bëhet anëtar i Forcave të Armatosura? Unë ju siguroj që në FARSH aderojnë njerëzit më të përgatitur. Mund të duket paradoksale, por në fakt është e vërtetë. Sepse ata që aderojnë në FA janë të përgatitur mendërisht për ta bërë këtë gjë. Ka një arsye tjetër shumë të madhe pse mund te jesh pjesë e FA. Shansi për të pasur një shkollim të denjë, falas, në akademitë më të mira botërore, është më shumë sesa prezent. Ne sot përfitojmë bursa falas nga SHBA-të deri në Turqi, Gjermani, Angli, Itali, Greqi e kështu me radhë, dhe ky është një shans që jo domosdoshmërish i vjen gjithkujt."Gjatë bashkëbisedimit me gjimnazistët, Ministrja Kodheli iu përgjigj edhe interesit të nxënësve për situatën aktuale të sigurisë globale, reformën në drejtësi dhe rolin e Shqipërisë në krizën e emigrantëve./Oranews.tv/