Shkodër, 3200 socialistë votojnë për të zgjedhur 32 delegatë

E kanë inaguruar shtëpinë e re në qendër të Shkodres me proçesin e votimit për delegatët që do të marrin pjesë në kongresin e 19 Marsit. Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 3200 socialistët e këtij qarku i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur 32 delegatët, 14 prej të cilëve dalin nga propozimet e qytetit dhe 18 nga njësitë vendore. Sipas parimit “një anëtar, një votë” dhe kritereve të përcaktuara, 50 përqind e kandidaturave që do të zgjidhen janë femra. Proçesi u ndoq nga afër prej koordinatorëve dhe deputetëve të qarkut, ndërsa nuk mungoi as i deleguari i qendrës, ministri Ditmir Bushati. Ai e cilësoi model proçesin që po ndiqet, ndërsa listat e përzgjedhura tha se vijnë nga njerez me kontribute në këtë parti.Por kur pyetet për respektim të statutit dhe a duhet të votohet për kryetarin, ai thekson se të gjithë hapat do të hidhen një nga një.Megjithatë qëndrim krejt të kundërt ka deputetja Mimoza Hafizi, për të cilën votimi për delegatët është një model i mirë, por paradoksal në mesazhin që përcjell, pasi votohet për strukturat dhe jo për kryetarin. Madje ajo e përkufizon si një rebus të çuditshëm në parti.Socialistët hyjnë në muajin Mars, kohë kur do të mbahet kongresi të ndarë në qëndrime, mes mbështetesve të Rames dhe atyre të Blushit, që  si veto kanë vënë respektimin e statutit të partisë dhe mbajtje të zgjedhjeve për kryetarin.