Zeneli: 20 mijë të punësuar vetëm nga Zyrat e Punës për 2015-n, ja si veprohet

Angazhimi i kapitalit njerëzor në tregun e punës lidhet me informacionin që kanë aktorët e tregut të punës, qoftë punëkërkues, qoftë punëdhënës.Drejtori i Shërbimit të Punësimit dhe Migracionit pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Neshat Zeneli, në një intervistë për “Ora News” në emisionin “Ditë e Re” ka shpjeguar dinamikën e tregut të punës në Shqipëri. Ai ka theksuar se vendet e lira të punës janë më të shumta në numër sesa shfaqen në sistemin online të Shërbimit Kombëtar të Punësimit që janë të aksesueshme nga publiku i gjerë, duke theksuar se bizneset nganjëherë kërkojnë që te mos publikohen në faqen online të dhënat për vendin e lirë të punës. “Shpesh herë në media flitet për vende të lira pune dhe dalin shifra të ndryshme. Këto janë shifra të shpallura vetëm në sistemin online. Përveç sistemit online vendet e lira të punës shpallen edhe në një sistem të brendshëm të Zyrave të Punës. Kjo është e lidhur me legjislacionin në fuqi sepse një biznes që nuk do ta shfaqë vendin e tij të lirë të punës në sistemin online i drejtohet Zyrës së Punës dhe mund ta regjistrojë në sistemin informatik të Zyrave të Punës”, - ka theksuar Zeneli.Më tej drejtori i Shërbimit të Punësimit dhe Migracionit ka folur për rolin e Zyrave të Punës, të cilat bëjnë ndërmjetësimin të të gjithë personave që janë regjistruar tek to dhe ndërmarrjeve që kanë paraqitur kërkesat e tyre të vendeve të lira të punës. “Në sistemin e Zyrave të Punës regjistrohen të gjithë ata persona, të cilët janë të interesuar të kërkojnë punë. Zyrat e Punës nuk janë thjesht zyra ku regjistrohesh për të marrë një vërtetim. Qëllimi kryesor i Zyrave të Punës është që çdo person i regjistruar të jetë i gatshëm për të kërkuar punë dhe për t’u punësuar. Nga ana tjetër, këto zyra duhet të realizojnë atë që quhet intervistim profesional; të kenë informacion të plotë mbi tregun e punës, t’i japin informacion personit mbi vendet e lira të punës, profesionet që kërkohen, çfarë kualifikimesh kërkohen dhe të bëjnë atë që quhet ndërmjetësim në tregun e punës”, – ka nënvizuar ai.Duke dhënë një panoramë të numrit të punëkërkuesve të regjistruar pranë Zyrave të Punës në rang vendi, Zeneli ka shpjeguar edhe vështirësitë që hasin moshat e mëdha për t’u punësuar. “Aktualisht pjesa më e madhe e të regjistruarve në Zyrat e Punës i përkasin grupmoshës 15 deri në 39 vjeç. Gjithashtu edhe 23% nga të regjistruarit janë mbi 50 vjeç, e cila është edhe kategoria më e vështirë për t’u integruar në tregun e punës. Kjo mund të lidhet me 2 faktorë. Ndërmarrjet shpeshherë preferojnë që të marrin mosha të reja. E dyta kjo mund të lidhet me faktin se kjo kategori personash mund të kenë humbur profesionet e tyre, pra kanë dalë jashtë tregut, dhe duhet që të përditësohen dhe të përshtaten me zhvillimet e reja ekonomike të vendit”, – ka shpjeguar ai.Dinamika e tregut të punës kërkon që punëkërkuesit të kualifikohen në mënyrë të vazhdueshme dhe që Zyrat e Punës të kenë lidhje të vazhdueshme me bizneset për të vënë në pah vendet e lira të punës. “Procesi i punësimit nuk është thjesht një moment i vetëm, por është një proces që kërkon ndërhyrje. Në momentin që personi nuk ka kualifikim duhet kryer kualifikimi i duhur dhe pastaj duhet realizuar në mënyrë efikase ndërmjetësimi në tregun e punës. Për këtë arsye ka pasur orientime për të forcuar partneritetin me biznesin, duke iu dhënë përparësi vizitave në ndërmarrje. Vizitat në ndërmarrje janë ato që sigurojnë produktin. Për të pasur oferta punë në sistem duhen zhvilluar vizitat në ndërmarrje, duke i seleksionuar ato sipas sektorëve ekonomikë dhe duke e shtuar gamën e tyreve që kanë oferta pune,” – ka informuar drejtori i Shërbimit të Punësimit.Për vitin 2015, sipas Drejtorit të Punësimit dhe Emigracionit, Neshat Zeneli, përpos “Call Center”-ave dhe industrisë fason, kërkesat e tregut të punës kanë qenë edhe për sektorët e turizmit dhe të komunikacionit e informacionit. “Gjatë vitit 2015, Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka shpallur në total rreth 36 mijë vende të lira pune nga ku 5 sektorët dominantë kanë qenë sektori i industrisë përpunuese, sektori i komunikacionit dhe informacionit, sektori i tregtisë, sektori i ndërtimit dhe sektori i turizmit. Nga këto vende pune, Zyrat e Punës kanë plotësuar rreth 20 mijë vende të lira pune, të cilat janë ndërmjetësuar drejtpërdrejtë”, – ka bërë të ditur ai.Ndërkaq, drejtori i Shërbimit të Punësimit ka shpjeguar se SHKP-ja është një prej aktorëve të shumtë që ekzistojnë në treg, për sa i përket agjencive, që mundësojnë ndërmjetësimin e punësimit. Për këtë arsye në treg ekzistojnë më shumë vende të lira pune sesa janë të regjistruara pranë Zyrave të Punës, si edhe punësimi total i personave për vitin 2015 kap shifra me të mëdha sesa ato që janë ndërmjetësuar nga ky institucion./Oranews.tv/