Media ka përgjegjësi në formësimin e së tashmes dhe të së ardhmes të vendit

Fjala e Ambasadorit Raunig në 5-vjetorin e "Tonight Ilva Tare", 28 Janar 2016E dashur Ilva, të dashur miq,Ftesa që mora për të thënë dy fjalë me rastin e 5-vjetorit të emisionit “Tonight Ilva Tare” mund të jetë një nga ato efektet anësore të një fenomeni që, mesa duket, është unik për Ballkanin: Marrëdhënia e afërt mes medias dhe diplomatëve.Nga buron kjo marrëdhënie? Ku mund t’i ketë rrënjët? Unë mendoj se kjo ka të bëjë, para së gjithash, me mënyrën se si ballkanasit, e veçanërisht shqiptarët, i mirëpresin të huajt. Këtu ekziston një kulturë unike mirëpritjeje ndaj të huajve; një përzierje e respektit, korrektesës, miqësisë dhe kureshtjes do të thosha.Kjo kureshtje mendjehapur përqendrohet, më pas, jo vetëm tek i huaji, por më tej akoma, te përshtypjet e tij apo të saj rreth vendit dhe vendasve. Përveç kësaj, njerëzit janë shpesh shumë kureshtarë të dinë se si e sheh i huaji zhvillimin e tanishëm apo afatgjatë të vendit në përgjithësi, apo se çfarë parashikon ai apo ajo për të ardhmen.“A do të bëhet Shqipëria?” Kjo ishte një nga pyetjet e para që më bënin kur erdha për herë të parë në këtë vend, në korrik të vitit 1990, si një i huaj naiv e pa përvojë, dëshmitar i përpjekjeve të para guximtare të shqiptarëve për të rrëzuar diktaturën totalitare. Kush isha unë që t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje? Si mund ta parashikoja të ardhmen e një vendi që zor se e njihja? Ç‘përgjigje mund t’i jepja?Po të jesh diplomat në një nga vendet e Ballkanit, sidomos si ambasador apo kryetar i një misioni ndërkombëtar, media të vjen te dera sa vë këmbën. Dhe fillon marrëdhënia: e shtyrë nga e njëjta kureshtje me atë të vendasve, media përpiqet të të joshë, të të ngërthejë në jetën publike. Papritur, diplomati ballafaqohet me një anë të profesionit të tij, me të cilën normalisht janë të paktë ata që u duhet të merren: me diplomacinë publike. Disa diplomatë i përgjigjen kësaj kërkese në atë mënyrën klasike – “diplomatike” po themi; disa e pranojnë sfidën plotësisht; kurse të tjerë përpiqen të gjejnë një baraspeshë mes këtyre të dyjave.Unë vetë kam dashur gjithmonë të mësoj se nga vjen kjo kureshtje. Një nga shpjegimet bindëse që më është dhënë është që kjo kureshtje ka tri pjesë: e para është kureshtja e natyrshme – njerëzit nga natyra janë shumë kureshtarë; e dyta është prirja për të kërkuar një arbitër në situata mosmarrëveshjesh; kurse e treta është specifike për Shqipërinë – izolimi i gjatë nga bota gjatë periudhës së diktaturës. E megjithatë, kjo duket sikur nuk mjafton për ta shpjeguar në thellësi këtë fenomen. Mua vetë me duket sikur forca shtytëse qëndron edhe tek ambicia e paduruar dhe e zjarrtë e shqiptarëve për të krijuar një të ardhme më të mirë.Por një gjë është e sigurt: Në thelb, qëndron mikpritja mendjehapur dhe plot respekt e mirëbesim e shqiptarëve.Media ka vërtet përgjegjësi në formësimin e së tashmes dhe të së ardhmes të vendit. Mënyra se si një kureshtje, në thelb e shëndetshme dhe e gjallë, shndërrohet dhe përmbushet në informacion dhe debat publik luan një rol vendimtar.Emisioni “Tonight Ilva Tare” ka rolin e vet për të luajtur në këtë proces. Ilva ka nuhatje të mirë për temat e duhura dhe e bën punën me profesionalizëm të spikatur e plot energji. Të ftuarit në programin e saj ndeshen me një ndërthurje çarmatosëse paanësie dhe këmbënguljeje, shpejtësie dhe sharmi.Ilva, të uroj ty dhe programit tënd gjithë të mirat... edhe për pesë vitet e ardhshme!Faleminderit!/Oranews.tv/