Partitë në Kosovë kundër referendumit: Antikushtetues, Serbia nuk mund ta mbajë

Reagimet e ashpra vijojnë nga të gjitha forcat politike të Kosovës për referendumin e pretenduar nga Serbia, për marrëveshjen e arritur mes Thacit e Dacic. Kreu i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi mbajtjen e një referendumi të Serbisë në teritorrin e Kosovës e ka quajtur antikushtetues."Ju e dini që me Kushtetutë dhe ligje asnjë shtet nuk mund të mbaj referendum në shtetin tjetër dhe gjithashtu e dini se edhe Qeveria serbe i ka mendimet e kundërta në dallim me qytetarët serb të pjesës veriore të Kosovës. Pra, me Kushtetutë nuk mund të mbahet", deklaroi Krasniqi.Gjithashtu dhe Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar një referendum te tillë, ku kryetari i grupit parlamentar të AAK-së Ardian Gjini shrehu se ndalimin e referendumit mund ta bëjnë vetëm Brukseli dhe NATO."Mendoj se mjete fizike të veta nuk ka, mirëpo ka mjete të tjera të punës. Mjete të tjera të punës janë bashkëpunimi me Unionin Evropian dhe me NATO-n me bërë një gjë të qartë se një gjë e tillë nuk duhet të lejohet në Kosovë", është shprehur ai.Gjithashtu presidentja i është përgjigjur deklaratave te zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili tha,se nëse është e nevojshme për marrëveshjen e Brukselit do të organizohet edhe referendumi, duke përfshirë dhe territorin e Kosovës. Jahjaga u shreh se"Serbia nuk mund të organizojë referendum brenda territorit të Kosovës".Ndërkaq mbajtja e një referendumi konsiderohet se mund të ketë shumë efekte, ku përfshihet edhe dështimi i marrëveshjes me Prishtinën. Për më tepër bëhet e ditur se të martën kryeministri serb Ivica Dacic së bashku me Vucic do të takohen përsëri me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Ndërsa Dacic deklaroi të hënën se në muajin maj në Bruksel do të mbahen takime të reja me përfaqësuesit e Prishtinës.