Daçiç: Në maj takime tjera me Prishtinën
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar sot se në muajin maj në Bruksel do të mbahet takim i ri me përfaqësuesit e Prishtinës.“Sipas njoftimeve që vijnë nga (përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine) Ashton, në muajin maj na presin takime të reja”, ka thënë Daçiç para gazetarëve në Beograd.Kryeminsitri serb është shprehur gjtihashtu kundër mbajtjes së referendumit për çështjen e marrëveshjes së arritur me Kosovën.“Ata që po kundërshtojnë marrëveshjen dhe po kërkojnë referendum duhet ta dinë se shumica mendon ndryshe, prandaj edhe ata duhet t’i nënshtrohen vullnetit të shumicës dhe të bëhen pjesë e zbatimit të marrëveshjes” tha ai.Parimisht ka thënë Daçiç ai nuk është për referendum, por as kundër, ndërsa ka theksuar se në rast se populli me referendum deklarohet kundër marrëveshjes, atëherë duhet të rrëzohet qeveria.Kryeminsitri serb ka deklaruar se marrëveshja nuk është ideale, por sidoqoftë, ajo duhet të pranohet unanimisht. Ai ka deklaruar se së bashku me zëvendës/kryeministrin Aleksandër Vuçiç do të bisedojë përsëri nesër me serbët e veriut të Kosvoës.Sidoqoftë, është shprehur Daçiç është mirë që referendumi të shmangët, sepse, mbajtja e tij mund të krijojë ndarje të thella në Serbi.Referendumi mbart me vete pasoja të rrezikshme si për ata që do ta pranonin si për ata që janë kundër marrëveshjes së Brukselit.Daçiç, ndërkaq, ka ftuar serbët e veriut që ta pranojnë marrëveshjen. “I ftoj të gjithë serbët ta kuptojnë faktin se të gjitha i kemi provuar në këtë jetë në rastin e Kosovës: edhe me të mirë edhe me dhunë, por me as njërën e as tjetrën nuk ia kemi dalë. Prandaj, tani kërkohet më shumë mençuri për ta vendosur Serbinë në një pozicion të ri në botë” tha ai.Mospranimi i marrëveshjes sipas fjalëve të kryeministrit serb Ivica Daçiç do të kishte pasoja katastrofale për Serbinë.