Greqia, ligj për shkarkimin e punonjësve të administratës
Me 168 vota pro, 123 kundër dhe një abstenim parlamenti grek miratoi projektligjin për masat e reja, një marrëveshje mes qeverisë greke dhe Trojkës, për disbursimin e kësteve me vlerë të përgjithshme 8,8 miliardë euro.Më herët, u zhvillua me tone të larta debati parlamentar për diskutimin e këtij projektligji.Përfaqësuesit e partive që bëjnë pjesë në qeveri i mbrojtën me ngulm amendamentet e reja dhe akuzuan për populizëm dhe mungesë alternative opozitën, përfaqësuesit e të cilës nga ana e tyre, akuzuan qeverinë se po zbaton një politikë fajdesh dhe antikushtetuese.Sipas projektligjit rreth 2 mijë nënpunës do të pushohen në fund të muajit maj, ndërsa 2 mijë të tjerë në fund të vitit, ndërkaq 11 mijë e 500 në fund të vitit 2014, duke arritur një total prej 15 mijë e 500 personave.Ky ndryshim është i fundit në kuadër të masave të ashpra të kursimit. Ndërkohe sindikatat kanë paralajmëruar protestë në rrugë jashtë Parlamentit.Që nga viti 2010, Bashkimi Evropian dhe FMN kanë dhënë më shumë se 200 miliardë euro në kreditimin për Greqinë, vendi i parë që të jetë goditur nga kriza e Eurozonës.Qeveria ka vendosur masa të ashpra shtrënguese në këmbim të ndihmës, duke përfshirë edhe shkurtimet në paga dhe pensione.