Nishani: Te ashtuquajturit ekspertë hartuan një nen që ndalon hetimin e krimeve të komunizmit
Presidenti Bujar Nishani deklaroi nga Malësia e Madhe se reforma në drejtësi pengon procesin e hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit në kohën e Komunizmit. Presidenti Nishani referuar draftit final të ekspertëve të nivelit të lartë për reformën në drejtësi, tha se neni që ndalon hetimin e krimeve të komunizmit është një provokim i papranueshëm.Nishani: Me shumë keqardhje kam parë dhe kam konstatuar që në proceset e reformave të ndryshme në vend, të cilat padyshim janë të nevojshme, për ta çuar Shqipërinë tonë, për ta çuar vendin tonë, për ta çuar popullin tonë, për ta çuar emrin e kombit tonë më përpara, tentohen të bëhen edhe provokime të papranueshme. E quaj të papranueshme hartimin dhe tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ‘ekspertë të reformës në drejtësi’ për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit. Nga kjo trevë dhe tokë martirësh u bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë ta refuzojnë mbështetjen dhe miratimin e një neni të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë! Ata u kanë bërë një provokim të rëndë vuajtjeve dhe sakrificave, por edhe kujtesës historike, kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.Pas vendimit për të dërguar në Kushtetuese ligjin për pronat presidenti Nishani deklaroi se ky ligj rikonfiskon pronat.Nishani: Para pak vitesh të gjithë ne dhe shumë si ne nuk do ta besonim që në vitin 2016 mund të vinte përsëri një ligj i Parlamentit shqiptar, që do të kërkonte rikonfiskimin e pronave të shqiptarëve.Rikonfiskimi i pronave nuk mund të ndodhë, nuk do të ndodhë, sepse të drejtën e lirisë shqiptarët e kanë fituar me sakrificën, me gjakun, me qëndresën, me burrërinë e qindra e qindra martirëve të tyre.Presidenti Bujar Nishani I bëri këto deklarata nga Malësia e Madhe ku mori pjesë në ceremoninë e 71 vjetorit të kryengritjes së parë antikomuniste. Ai dorëzoi dekoratën e shqiponjës së artë për revoltën antikomuniste, që e vlerësoi si ngjarje me vlera të paçmuara./Oranews.tv/