Kujtohet në Romë 548 vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu
Ambasada e Shqipërisë në Romë, Ambasada e Kosovës e Përfaqësia Diplomatike Shqiptare në Vatikan organizuan të dielën më 17 janar një ceremoni përkujtmore me rastin e 548 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.Kjo ceremoni u mbajt në sheshin Albania në Romë aty ku ndodhet Monumenti i Heroit tonë Kombëtar.Në ceremoninë përkujtimore ishin të pranishëm Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Neritan Ceka, Ambasadorja e Kosovës Bukurie Gjonbalaj, Përfaqësuesi me punë pranë Selisë së Shenjtë, Visar Zhiti, përfaqësuesi i komunitetit shqiptar pranë Bashkisë së Romës, Edmond Godo si dhe emigrantë shqiptarë që prej vitesh jetojnë e punojnë në kryeqytetin italian.Në fjalën e tyre përshëndetëse përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar e të Kosovës kujtuan figurën historike të Heroit të Kombit Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, rolin e tij në bashkimin e popullit shqiptar, formimin e shtetit kombëtar e mesazhin e tij shekullor aq aktual dhe sot për një Shqipëri të lirë, demokratike e europiane.Ashtu siç lexon dhe pllaka përkujtimore në këtë Monument, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu kontribui jo vetëm në shpëtimin e Shqipërisë nga sulmet turke, por dhe në shpëtimin e civilizimit perëndimor nga barbaritë e otomanëve.Vendosja e Monumentit të Skëndërbeut në sheshin “Albania” në Romë, është një vlerësim i shtetit italian ndaj figurës së Heroit tonë Kombëtar që për 25 vite mundi të ndalë sulmet e turqve drejt Italisë e drejt Europës.Monumenti "Skënderbeu" në Romë e sheshi "Albania"Monumenti i Skëdërbeut në Romë gjëndet në sheshin “Albania”, në zemrën e Romës antike mes lagjes “San Saba” e “Aventinos”, një nga shtatë kodrat ku sipas legjendës u themelua qyteti i Romës.Qe 27 tetori i vitit 1940 kur Benito Musolini në praninë e autoriteteve më të larta zyrtare të qytetit përuroi në Romë Monumentin e Skënderbeut.Kronistët e kohës e komentojnë si një ditë vjeshte e shiu të fortë.Monumenti u vendos në atë që dikur quhej sheshi "Raudusculana", emri i një porte antike të Mureve Serviane.Pak muaj më parë në 4 korrik të 1940, për të kujtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria Italiane (më 16 prill 1939) ky shesh ndryshoi emër e u quajt sheshi "Albania".Monumenti i Skënderbeut u realizua nga fiorentini Romano Romanelli.Lindur më 14 maj të vitit 1882 në Firence, ky artist, mik i poetit Gabriele D’Annunzio, rridhte nga një familje me emër artistësh skulptorë.Babai i tij qe skulptor dhe u bë mësuesi i artit të tij. Por Romano Romanelli qe dhe një funksionar i lartë i Marinës Italiane e gjatë Luftës së Parë Botërore mbetet invalid.Aftësitë e tij artistike, por dhe lidhjet me shtresën e lartë të politikës italiane të asaj kohe, i ngarkuan detyrën e realizmit të bustit të Heroit Kombëtar të Shqipërisë, në kryeqytetin italian Romë, në sheshin me emrin e vendit fqinj dhe në një moment kaq të veçantë e historik për dy vendet.Monumenti i Skënderbeut është realizuar mbi një grup bronzi i rëndë 35 kuintalë e paraqet Heroin tonë Kombëtar mbi kalin e tij të pandashëm, veshur nën armaturën e hekurt, me përkrenaren e shpatën gati për luftim.Guvernatorit të Romës (funksionari më i lartë administrativ i qytetit në epokën e fashizmit) iu kërkua aso kohe të siguronte në limitin më të afërt të kohës, bazamentin mbështetës të veprës së Romanellit, që ishte i përfunduar e priste ditën e inaugurimit.Brenda 26 ditësh u u mundësua gjetja e piedestalit të shndritshëm, i gurtë, i tipit travertino që peshonte rreth 75 kuintalë, mbi të cilin u vendos Monumenti i Skënderbeut në sheshin "Albania" në Romë.Në vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, komuna e Romës vendosi pllakën përkujtimore ku shkruhet: "Në kujtim të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skëndërbeu, mbrojtësit të patrembur të civilizimit perëndimor."
/Oranews.tv/