95-vjetori, Rama: Do t'i rikthejmë Bibliotekës Kombëtare hapësirat e saj
Në 1920, kur hapi dyert për herë parë, Biblioteka Kombëtare kishte 6 mijë vëllime.Sot biblioteka numëron mijëra vëllime dhe kreu i qeverisë shqiptare angazhohet për t’i dhënë këtij institucioni kulturor, mbështetjen më të madhe të 25 viteve të fundit.Në ceremoninë për 95 vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, kryeministri Edi Rama premtoi rikthimin e të gjithë hapësirës që i është rrëmbyer lexuesve.Rama: Fatkeqësisht ndryshimi më i ndjeshëm dhe më i prekshëm, për Bibliotekën Kombëtare ishte këputja e trupit të saj në dysh. Një pjesë për vazhdimin e aktivitetit të saj dhe një pjesë tjetër për të zhvilluar aktivitete komerciale që s'kishin asnjë lidhje me Bibliotekën Kombëtare, do t’ja rikthejmë Bibliotekës Kombëtare pjesën e trupit të saj të amputuar nga barbaria e kulturës së tranzicionit.Shefi i qeverisë tha se projekti i mbështetjes do të shtrohet në bibliotekat e gjithë Shqipërisë, ndërsa transformimit do ti nënshtrohet dhe Teatri i Operas dhe Baletit.Edi Rama, nuk iu përmbajt deri në fund deklaratës që kishte përgatitur për rastin, pasi një nga fletët e fjalimit i ra nga podiumi dhe shefi i qeverisë vendosi që t’ia bashkangjiste dhuratës së parashikuar për bibliotekën një album me pikturat e tij.Rama: Dhurata ime është shumë modeste, është albumi mi i fundit i zhgaravinave të mia. Po i fus brenda edhe këtë fletën që vendosi të qëndrojë në Bibliotekën Kombëtare dhe po ja dhuroj drejtores së Bibliotekës, pa pretenduar që të regjistrohet në Arkivin e Bibliotekës.