Tahiri: 1000 policë të proceduar, kultivimi i narkotikëve mbetet problem
1000 punonjës policie në shkallë vendi janë çuar për ndjekje penale dhe disiplinor për vepra të ndryshme që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës.Shifra u bë publike nga Ministri Tahiri në Gjirokastër, ku mori pjesë në analizën vjetore tē policisë.Ministri Tahiri: Në të gjithë Shqipërinë janë rreth 1000 punonjës policie në procedim disiplinor dhe penal për shkelje të detyrës, për korrupsion, për abuzim me detyrën, moskryerje të detyrës, pra për fenomene abuzuese dhe korruptive.Kjo do të thotë që ne jemi mjaft të fokusuar në luftën kundër korrupsionit brenda radhëve të policisë, në luftën kundër abuzimit me detyrën brenda radhëve të policisë apo akoma më shumë me mosushtrimin e detyrës nga punonjësit e policisë.Kjo do të thotë që ne besojmë se mënyra më e mirë për të garantuar luftë kundër informalitetit, paligjshmërisë, kriminalitetit dhe për të garantuar sigurinë në vend, është duke luftuar këto fenomene brenda vetë radhëve të policisë. Pra e thënë më shkurt, të luftojmë korrupsionin do të thotë, fillimisht të garantojmë që punonjësit e policisë të punojnë me etikë, të punojnë bashkë me qytetarët e ndershëm, të luftojmë korrupsionin brenda policisë dhe vetëm kështu jemi të aftë të luftojmë korrupsionin në shoqëri.Lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike, Ministri tha sfida dhe potenciali që të rikultivohet është ende prezent.Ministri Tahiri: Kultivimi i bimëve narkotike mbetet problem. Viti 2015 tregoi që puna e policisë ishte shumë e mirë në parandalimin e kultivimit, në luftën kundër kultivimit. Dhe është kjo arsyeja pse në të gjithë Shqipërinë u kultivua 8 herë më pak, është kjo arsyeja që bashkëpunimi me Guardia di Finanza na prodhoi një raport fotografik mjaft të mirë të hartës së të gjithë Shqipërisë me parcelat e identifikuara. Eshtë kjo arsyeja pse u raportua edhe nga partnerët dhe nga Policia e Shtetit që nga gjithë sipërfaqja e fotografuar u shkatërruan 99.6 %.Sfida mbetet ende aty ama, potenciali që të rikultivohet është ende aty. Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për të bashkëpunuar me pushtetin vendor, me të gjithë ata që kanë zë në kapitull që të parandalojmë maksimalisht kultivimin dhe të luftojmë maksimalisht fenomenin.Kultivimi i lëndëve narkotike është një fenomen mjaft shqetësues, dëmton rëndë shoqërinë dhe individin. Dhe ne jemi shumë të gatshëm t’i shkojmë pas, për të mos lejuar që kjo të kthehet në fenomen të përgjithësuar.