Ora News në familjen Brozi, gjithçka e shkatërruar, apelojnë për ndihmë
Përmbytja e pesë ditëve më parë në Shijak e Sukth ka lënë pasoja të mëdha pas, duke shkatërruar gjithçka. Banorët po përballen me dëme të mëdha, ndërsa shprehen se kanë humbur gjithçka që kishin ndërtuar për vite më radhë. Ora News ju sjell jetën e re të banorëve të Shijakut në bashkëjetesën me baltën.Përmbytjet e disa ditëve më parë në Shijak e Sukth kanë shkatërruar gjithçka.Vërshimi i lumit Erzen ka marrë me vete kursimet e një jete për shumë familje, ndërsa banorët po përballen me dëmet e shumta që kanë pësuar shtëpitë e tyre.Familja e Flora Brozit i ka kaluar netët në qiell të hapur, kur shtëpia e tyre ishte nën ujë.Tani që uji është tërhequr nga banesa e tyre, streha është e pabanueshme.Flora Brozi: As shtëpi, as pajisje, është prishur gjithçka. Kam mbetur vetëm kështu në ajër. Unë me dy fëmijët kam mbetur dhe asgjë tjetër.Mes dhimbjes dhe nostalgjisë për banesën e saj të ngrohtë, Znj. Flora mundohet të sistemojë ato pak sende që i kanë shpëtuar vërshimit të lumit Erzen.Flora Brozi: Në kushte të vështira jetonim edhe më përpara sepse unë jam e vetme me dy fëmijë, pasi bashkëshorti im ka vdekur. Ishim keq më përpara, tani vetëm të dal në rrugë. Nuk kam ku të rri, ku të jetoj.Uji ka lënë pas baltën, si dhe apelin për ndihmë.Flora Brozi: I bëj thirrje qeverisë, bizneseve, kush të ketë mundësi që të bëjë diçka për mua dhe fëmijët e mi. Një punë, një diçka, nuk kam asgjë.Për t'u ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura përfaqësues të pushtetit vendor dhe shoqata të ndryshme kanë nisur shpërndarjen e ndihmave materiale e ushqimore.Shtabi i Emergjenave ende nuk ka një bilanc të dëmeve, por paraprakisht janë evidentuar 750 banesa të përmbytura totalisht, 230 biznese si dhe 3 mijë hektarë tokë bujqësore.
/Oranews.tv/