New Yorku rikthen kujtimet e 11 shtatorit, gjenden pjesë të avionit
Policia e New York-ut ka njoftuar se është gjetur ajo, që mund të ketë qenë pjesë e pajisjes së uljes të njërit prej avionëve, që u përplasën me kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë, më 11 shtator 2001.Pjesa metalike prej 1.52 metra, e cila mbart një etiketë Boeing dhe një numër serial, kishte ngecur mes dy ndërtesave në New York City, sipas policisë. Ajo u gjet të mërkurën nga disa mbikëqyrës, që po inspektonin një ndërtesë të ulët në Manhattan.Afër 3000 persona ndërruan jetë në sulmet terroriste, kur aeroplanët u përplasën në New York, Washington dhe Pennsylvania. Pesë të dyshuar, militantë të al-Qaeda-s, janë ende në pritje të gjyqeve për sulmet, në një tribunal ushtarak në kampin e paraburgimit të SHBA-ve në gjirin e Guantanamo-s, në Kubë.“Është një manifestim i veprës së tmerrshme terroriste, rreth një bllok e gjysmë më tutje nga ku po qëndrojmë tani, - tha komisioneri i policisë së New York-ut, Ray Kelly, për reporterët. - Kjo rikthen kujtime të tmerrshme për këdo që ka qenë këtu, i cili u përfshi në atë ngjarje.