Ngërçi në Itali drejt zgjidhjes, nëse s’ka surpriza Letta betohet si Kryeministër
Në Itali duket se të gjitha ngërcet politike që vendi kishte hyrë që prej zgjedhjeve te 24-25 shkurtit po kapërcehen. Pas pranimit të presidentit Xhorxho Napolitano për një mandat të dyte, të shtunën duket se dhe administruesi i besuar i qëndrës së majtë Enrico Letta do të betohet në postin e Kryeministrit.Zv.sekretari i PD-së, Enrico Letta u mandatua nga Napolitano për formimin e qeverisë së re. Ai gëzon mbështetjen e së majtës (edhe pse me rezerva) dhe të djathtëve të Berlusconit.Sipas mediave italiane, Letta ka përfunduar ciklin e takimeve dhe nëse nuk ka të papritura, të shtunën do të takohet përsëri me presidentin Napolitano për t'i paraqitur emrat që do të përbëjnë qeverinë e tij. Ndërsa pas takimit me Presidentit italian, do të bëhet betimi i Kryeministrit dhe të gjithë kabinetit qeveritarë.Në varësi të emrave pritet edhe mbështetja që kabineti i propozuar do të sigurojë në Dhomën e Ulët ditën e hënë dhe në Senatin e parlamentit italian ditën e martë. Sipas këtyre të fundit, me mbështetjen e PDL dhe PD Letta do ta ketë të lehtë votëbesimin.Ndërkohë Silvio Berlusconi që kthehet nga Shtetet e Bashkuara , sipas gazetës Corriere Della Sera, do të takohet me Leta për një diskutim të gjatë të gjithë-përfshirës për programin të qeverisë dhe shpërndarjen e Ministrive kyçe.Sipas shtypit në vend Silvio Berlusconi sheh me optimizëm përpjekjet e të mandatuarit të presidentit Napolitano, Enrico Letta për të formuar kabinetin e ri qeveritar.Ndërkaq në një intervistë ish-kryeministri italian mohoi zërat për një pjesëmarrje në kabinetin e Letta-s. "Mua më propozuan, por nuk kam dëshirë të jem në kabinetin qeveritar. Duhen emra të rinj dhe gra", tha ai.Zgjedhjet e 24 dhe 25 shkurtit në Itali nxorën si forcë të parë të majtët e PD-së, që siguroi votat e mjaftueshme në Dhomën e Ulët, por jo në Senat.Vetë kreu i PD-së, Bersani u mundua të shmangë një aleancë me Berlusconi-n, por pas refuzimit të Lëvizjes me 5 Yje të Beppe Grillo-s për mbështetje, mbeten vetëm dy zgjidhje, ose qeveri me Berlusconi-n ose zgjedhje të reja.