Mbi 275 të vdekur nga shembja e pallatit në Bangladesh
Numri i të vdekurve nga shembja e një ndërtese në Bangladesh ka arritur në 275 persona, ndërsa vazhdojnë ende kërkimet në rrënoja. Ndërtesa përfshinte disa punishte tekstilesh.Ekipet e shpëtimit po punojnë pa pushim. Ata thonë se janë dëgjuar zëra të personave të bllokuar nën rrënoja. Më shumë se 3 mijë vetë ishin në ndërtesën që ndodhej në periferi të kryeqytetit Daka, para shembjes së saj të mërkurën. Më shumë se 2000 persona janë shpëtuar, një mijë prej të cilëve të plagosur. Ndërkohë ende nuk dihet numri i saktë i personave të cilët rezultojnë të zhdukur.Policia tha se pronari i ndërtesës dhe menaxherët e punishteve nuk u kushtuan rëndësi paralajmërimeve zyrtare për të evakuuar mjediset, pasi inspektorët zbuluan të çara në ndërtesë të martën. Pronari ka marrë arratinë ndërsa kryeministrja Sheik Hasina ka theksuar se ai do të arrestohet dhe do të dalë para drejtësisë.