Obama "hetim të fuqishëm" për armët në Siri
Presidenti amerikan Barak Obama ka premtuar një "hetim të fuqishëm" mbi raportet se Siria ka përdorur armë kimike, duke paralajmëruar se rregullat e lojës do të ndryshojnë për politikën e ndjekur deri tani nga Shtetet e Bashkuara nëse ato provohen të vërteta."Sado e tmerrshme është të qëllohet mbi civilët me mortaja e të vriten njerëzit pa dallim, përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë mbi popullatën kapërcen një tjetër linjë që respekton normat dhe ligjin ndërkombëtar. Të gjithe ne, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në mbarë botën, nuk duhet ta lejojmë përdorimin sistematik të armëve të tilla ndaj civilëve".Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë theksuar se ka dëshmi për zhvillim e armëve të tilla kundër rebelëve në Siri, e sidomos gazin nervor sarin. Kryeministri britanik David Cameron u shpreh se ajo që po ndodh në Siri duket si krim lufte.Bashkimi Europian ndërkohë, sado që e dënoi me forcë një veprim të tillë, kërkoi prova bindëse përpara se të vendosë hapat që do të ndërmarrë lidhur me situatën. Amerika, Anglia, Izraeli e të tjera vende, po mbledhin të dhëna e janë të vendosur të sqarojnë nëse vërtet regjimi sirian i ka përdorur këto armë.Qeveria siriane i ka mohur me forcë pretendimet e përdorimit të armëve kimike, duke deklaruar se akuzat e perëndimit nuk kanë besueshmëri. Sipas OKB-së, të paktën 70,000 njerëz kanë humbur jetën në kryengritjen dyvjeçare kundër presidentit sirian Bashar al-Asad.