“Plan për bomba në Times Square”
Dy të dyshuarit për sulmet në Maratonën e Bostonit kishin në plan ta shpërthenin në “Times Square” pjesën e eksplozivëve që u kishin mbetur.Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Michael Bloomberg ka përcjellë për median atë që, sipas tij, ishte rrëfimi i 19-vjeçarit Dzhokar Tsarnaev për Byronë Federale të Hetimit.Dy vëllezërit kishin në plan të vinin në Nju Jork dhe të vendosnin eksploziv në ‘Times Square’ . Ata kishin ndërtuar mjete plasëse që ishin të afta të realizonin sulme të tilla” tha Michael Bloomberg, kryebashkiak i New York.Komisisari i Policisë Kelly tha se 19-vjeçari u ka thënë hetuesve se ai dhe i vëllai kishin thurur plane spontane për të shkuar në Nju Jork me makinën e rrëmbyer dy ditë pas sulmeve në Boston. Por ata hoqën dorë nga planet kur panë se makina nuk kishte karburant të mjaftueshëm. Brenda pak orësh vëllai i madh mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri me policinë.Glen Carle, një ish-zyrtar i lartë i shërbimeve të zbulimit në administratën e Presidentit George W. Bush tha se kishte mbetur i habitur që zyrtarët kishin vendosur të flisnin për një plan të dështuar që në fazat e para. Ai vuri në dukje se hetuesit besojnë se vëllezërit nuk kishin bashkëpunëtorë apo lidhje me një grup të madh terrorist.“Tingëllon mjaft qartë se këta dy vëllezër ishin mbërthyer nga paniku dhe nuk e kuptoj përse është e nevojshme që të zhvillohet një konferencë për shtyp për të folur për diçka aq serioze sa një kërcënim ndaj një qendre metropolitane, kur në fakt nuk më duket se ekzistonte një kërcënim i tillë” tha ai. Kryebashkiaku Bloomberg vuri gjithashtu në dukje se qyteti i Nju Jorkut ka një forcë të madhe policore dhe një rrjet kamerash në sheshin Times Square që mund të kishte parandaluar realizimin e sulmit. Por ai shtoi se nuk ka kurrë garanci për një gjë të tillë.