Paditen në prokurori drejtori dhe ish drejtori i spitalit të Durrësit

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në prokurori drejtorin dhe ish drejtorin e spitalit rajonal të Durrësit.Ata akuzohen për  “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike i cili ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 3. 39 milionë lekësh.Auditimi në Spitalin Rajonal Durrës është kryer për periudhën e ushtrimit të veprimtarisë së këtij institucioni nga 6/mujori i dytë i vitit 2013 deri më 31.12.2014Sipas KLSH-së ka pasur shmangie të procedurave standarde të prokurimit, me pretekstin e nevojave emergjente.Nga auditimi rezultoi se Spitali Rajonal Durrës ka blerë dhe është furnizuar me medikamente dhe materiale mjekimi vetëm nga një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë, të cilët kanë patur dhe kanë kontrata furnizimi në mënyrë permanente me Spitalin Rajonal Durrës.Si pasojë e përdorimit të procedurës “Negocim pa shpallje”, ka rezultuar një tejkalim i shpenzimeve me një efekt negativ prej 4,6 milion lekë në vitin 2013 dhe 11,6 milion lekë për vitin 2014.Vetëm për vitin 2014, Spitali Rajonal Durrës për nevojat e fillim vitit ka realizuar 32 shtesa kontratash me vlerë 18,159,484 lekë.Ndër të tjera u konstatuan shkelje të shumta edhe në procedurat për blerje; “Kateringu (Furnizim me ushqime)”; “Blerje naftë D1 me tollon dhe bot”; “Blerje e shërbimit të Ruajtjes me Roje Private”; “Blerje materiale pastrimi”; “Riparime investime si dhe Blerje pjesë këmbimi për automjete”."Bazuar në shkeljet e konstatuara, KLSH, mbështetur në nenin 15, të Ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, nenin 37 të Ligjit nr. 7691, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Spitalit Rajonal Durrës znj. A.F. si dhe dhënien e masave përkatëse disiplinore deri në largim nga detyra për punonjësit e konstatuar me shkelje në Raportin e Auditimit, duke i përcjellë gjithashtu organit të Prokurorisë, me shkresën nr. 107/26, datë 17.12.2015, kallëzimin penal për Drejtorin znj. A.F. dhe ish-Drejtorin z. T.B. të Spitalit Rajonal Durrës, me akuzën e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, së bashku me materialet përkatëse të dosjes së auditimit"

Njoftimi i KLSH-së