PS: Kush preket nga "dekriminalizimi" nuk do të zgjidhet në parti
Kreu i PS, Edi Rama ka vendosur që zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, ta nisë nga radhët e socialisteve.Partia më e madhe e majtë është në proces zgjedhor për strukturat e reja, dhe nga lidershipi vjen paralajmërimi se asnjë individ që preket nga kriteret e këtij ligji, nuk do mund të zgjidhet në këto struktura, që do finalizohen me zgjedhjet e kongresit të parashikuar të mbahen në janar.“Asnjë individ që preket nga kriteret e ligjit në fjalë, nuk do të mund të zgjidhet brenda strukturave të Partisë Socialiste, as drejtues i PS në njësitë vendore dhe as delegat i Kongresit të saj. Praktikisht Rama vendosi që ligjin për dekriminalizimin ta aplikojë edhe në PS, duke filluar nga zgjedhjet që do mbahen për kongresin e ardhshëm”, thuhet në nje reagim zyrtar të PS.Madje, kryetari Rama, fton partinë më të madhe opozitare në vend, PD dhe partitë e tjera,që të kopjojnë këtë praktikë.“Në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë, kryetari Edi Rama, ka kënaqësinë ta ftojë Partinë Demokratike dhe të gjjtha partitë e tjera që të marrin shembullin e PS, e cila në procesin e brendshëm zgjedhor në parti do të zbatojë Ligjin e sapovotuar me konsensus për Integritetin e figurës së çdo të zgjedhuri dhe çdo punonjësi të administratës publike ose, siç ka dëshirë ta quajë Partia Demokratike për Dekriminalizimin”, nënvizon PS në reagimin e saj.