Clinton e Ashton takohen me Jahjagën dhe Thaçin

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton të cilat ndodhen që prej ditës së djeshme në Prishtinë kanë nisur sot axhendën e takime.Ato janë takuar me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi me të cilin do të zhvillojnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.Pritet që në Prishtinë Clinton dhe Ashton të japin mesazhe të qarta për sa i përket vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi.Pritet që dy udhëheqëset e diplomacisë amerikane, përkatësisht dhe asaj evropiane, ta bëjnë të qartë se marrëveshjet e deritashme në dialogun Prishtinë-Beograd duhet të zbatohen.Ndërkaq theks i veçantë pritet t’i kushtohet raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet theksuar se Brukseli dhe Uashingtoni në disa raste janë deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara në proceset integruese duke mos e penguar njëra tjetrën.Sa u përket bisedimeve Kosovë – Serbi mbetet të shihet se cila do të jetë kërkesa në lidhje me përfshirjen apo jo të gjetjes së një zgjidhje për veriun e Kosovës në kuadër të këtij dialogu.Ajo që Clinton dhe Ashton e kanë bërë të qartë gjatë qëndrimit në Beograd, dhe mbase do ta konfirmojnë edhe në Prishtinë, është se zgjidhjet do të kërkohen pa cënuar integritetin territorial të Kosovës.Nga ana zyrtare, paraprakisht, qeveria në Prishtinë e ka vlerësuar këtë vizitë në interes të Kosovës si në planin e afirmimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar ashtu edhe në planin e përmirësimit të marrëdhënieve ndër fqinjësore, sidomos në raport me Serbinë.