Reforma në drejtësi, Manjani ul optimizimin: Ende larg, s'jemi futur në thelb
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, e ka cilësuar reformën në drejtësi një proçes ende të largët, duke kritikuar politikën se akoma nuk është futur në thelbin e saj. Gjatë një konferencë për mediat, Manjani nuk i shmangu komentet politike ,kur e cilësoi kërkesën e opozitës për qeveri teknike si shkatërrim për vendin. Në daljen e tij, Minstri i Drejtësisë njoftoi dhe propozimin e disa ligjeve të reja përfshirë disa ndërhyrje në kodin penal.Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ishte kritik me palët politike për reformën në drejtësi, duke theksuar se ndonëse po punohet prej muajsh, akoma nuk është në thelbin e saj. Manjani tha se përmbushja e kësaj reforme është ende larg.Ylli Manjani: "Ende nuk po merremi me thelbin e reformës në drejtësi. Ende nuk po ndërtojmë një sistem drejtësie që të jetë i qepur, i kopsitur dhe që të shërbejë. Ky është thelbi i reformës në drejtësi".Manjani, komentoi dhe kërkesën e Partisë Demokratike, për qeveri teknike duke e cilësuar një ide të keqe. Nënkryetari tha se të gjitha qeveritë teknike e kanë shkatërruar vendin.Ylli Manjani: " Sa herë ky vend në 25 vitet e fundit është drejtuar në qeveri teknkike është shkatërruar, është djegur është masakruar."Ministri i Drejtësisë njoftoi se dikasteri i tij, do të ndërmarrë së shpejti nismë ligjore për ndryshime rrënjësore në kodin penal.Ylli Manjani: " Ne do të rregullojmë edhe disa kakofoni ligjore të cilat vijnë për shkak të ndërhyrjeve jo shumë profesionale në kodin penal në gjithë këto vite. Kemi arritur në një absurd që për armëmbajtje pa leje të dënojnë më shumë sesa për terrorizëm."Ministri i Drejtësisë u ndal dhe tek problemet që përballet dikasteri që ai drejton, kryesisht për mungesën financiare e ngritur si shqetësim dhe gjatë debatit për buxhetin 2016.Ai komentoi dhe shqetësimin e ngritur nga dikasteri i tij për mungesën e veshjeve në policinë e burgjeve.Ylli Manjani: "Në qoftë se mjafton rroga ime për ta zgjidhur këtë punë, në fund të këtij muaji zgjidhet. Por nuk mjafton.Kështu që do presim sepse ka dhe disa angazhime buxhetore ky shtet të cilat duhet t'i diskutojmë dhe t'i koordinojmë , që e tejkalojnë pak fuqinë e Ministrit të Drejtësisë”.Ministri Manjani e cilësoi ligjin e amnistisë të iniciuar prej tij të domosdoshëm, kjo pasi sipas tij një i burgosur i kushton buxhetit të shtetit 800 euro, sa rroga një anëtari të Gjykatës Lartë.