Bushati-Stoltenberg: Qeveria, hapa për të përforcuar kapacitetet e mbrojtjes

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.Në këtë takim, i cili zhvillohet vetëm pak ditë pas takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg diskutuan mbi masat e marra nga Aleanca dhe punën në vijim për një përshtatje sa më të mirë ndaj rreziqeve të sigurisë në një rreze prej 360° dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës.Ministri Bushati vlerësoi lidershipin e Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg në rritjen e efikasitetit të Aleancës për t’iu përgjigjur sfidave në krahun lindor dhe jugor të saj. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimësisë së politikës së dyerve të hapura për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe nevojën për një ndërveprim substancial të institucionalizuar të Aleancës me Kosovën.Sekretari Stoltenberg, nga ana e tij, vlerësoi rolin e Shqipërisë në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e vendit tonë në operacionet e NATO-s në Afganistan, Gjeorgji, Ukrainë, KFOR në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, etj.Në kuadër të masave të marra nga Shqipëria në përmbushje të angazhimeve të Samitit të Uellsit, Ministri Bushati u shpreh se «qeveria po ndërmerr hapa për të përforcuar kapacitetet e mbrojtjes, duke frenuar rënien e buxhetit dhe duke siguruar një rritje të ndjeshme të tij për vitin 2016».Angazhimet e NATO-s në luftën kundër terrorizmit dhe roli i Shqipërisë në Koalicionin Global kundër ISIL-it ishin një pikë tjetër diskutimi.Ministri Bushati dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg u ndalën gjithashtu tek rëndësia e forcimit të Aleancës dhe thellimit të bashkëpunimit të NATO-s me vende partnere dhe organizata të tjera ndërkombëtare, në rrugën drejt Samitit të Varshavës.