Në tre muaj niveli i gjobave i njëjtë me 8 mujorin e 2015
Nisma e qeverisë anti informalitet është shoqëruar me gjoba të shumta për biznesit. Po kaq të shumta kanë qenë edhe apelimet që kanë bërë subjektet private, që i konsiderojnë gjobat e padrejta.Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga 1 shtator që nisi operacioni në terren deri në mes të muajit nëntor janë vendosur 7800 gjoba, 70% e të cilave ose 5460 janë apeluar nga biznesi. Numri i gjobave të vendosura në këtë periudhë 3 mujore është I njëjtë me atë të vendosur nga tatimet nga janari deri në gusht 2015.Gjobat e vendosura kanë motivacione të ndryshme, por shumica e tyre janë vendosur për mospajisje me kasë fiskale, moslëshim të kuponit tatimor, mossigurimin e punonjësve, mosmbajtjen e librave të blerjeve dhe shitjeve , si dhe mungesën në dokumentacion.Në bazë të ligjit “Për procedurat tatimore”, biznesi dorëzon kërkesën për apelim të gjobës në drejtorinë e apelimit në tatime.Kjo e fundit duhet të kthejë një përgjigje brenda 60 ditësh. Nëse tatimpaguesi sërish nuk bie dakord me vendimin e Komisionit të Apelimit, ai mund t’I drejtohet Gjykatës Administrative.Kryeministri Rama ka pranuar se një pjesë e gjobave të vendosura, kryesisht ato për mossigurimit të punonjësve, në rastin kur biznesi është familjar janë të padrejta. Por deri më tani nuk ka asnjë nismë ligjore për faljen e këtyre gjobave dhe shpresa e vetme e biznesit është komisioni i apelimit./Oranews.tv/