Testimi i punonjësve socialë, 30% ngelës, edhe një mundësi në janar

173 punonjës të institucioneve të përkujdesit social publik nuk kanë arritur të kualifikohen në testim, nga 557 të tillë që u përfshinë në këtë proçes.Rezultati u bë publik nga Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Sociale në MMSR, Merita Xhafaj.Sipas saj, punonjësit që nuk janë kualifikuar, do të rivlerësohen në muajin janar 2016.Këto pozicione pune do të konsiderohen vakante dhe vlerësimi do të jetë i hapur jo vetëm për 173 punonjësit ekzistues, por edhe për të gjithë personat e interesuar për t’u punësuar në institucionet e përkujdesit social publik.Nëse, përsëri 173 punonjësit aktualë nuk do të kualifikohen, ata automatikisht do të largohen nga vendi i punës dhe do të zëvendësohen me ata që do të kualifikohen në vlerësimin e muajit janar 2016.“Ky vlerësim i njohurive tregoi qartazi mangësitë dhe nevojat e çdo punonjësi, për të cilët do të merren masa konkrete për edukimin e vazhdueshëm dhe trajnimet e detyrueshme që duhet të kryejnë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit” tha ajo.Vlerësimi i njohurive dhe aftësive të personelit në institucionet e përkujdesit social publik u realizua nëpërmjet vlerësimit me shkrim, i cili zuri 70% të vlerësimit total bazuar në programin e publikuar dhe intervistimit me gojë, i cili zuri 30% të vlerësimit në total.Procesi i vlerësimit të njohurive me shkrim u realizua në datat 2 tetor dhe 3 tetor 2015, ndërsa për punonjësit të cilët, për arsye të justifikuara nuk u paraqitën në këto data, u realizua testimi në datën 3 nëntor 2015.Intervistimi me gojë për të gjithë punonjësit e institucioneve të përkujdesit social publik u realizua në datat 5, 6,7, 8, 9 tetor 2015 dhe në datën 3 nëntor 2015 për punonjësit, të cilët realizuan testimin me shkrim po në këtë datë.