Manjani kritik ndaj Hipotekave: U ka vajt nami deri në Bruksel, shërbeni ose ikni

“Nuk kam ndërmend të kursej asnjë, as kryeregjistruesin”. Ishte paralajmërimi i ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani në takimin që zhvilloi me drejtuesit e hipotekave në të gjithë vendin.Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ka kërkuar punonjësve të hipotekave në të gjithë vendin të shërbejnë me transparencë, në të kundërt asnjë nuk do të kursehet nga largimet nga puna.Manjani:  “Kam miratimin total të Kryeministrit, të Kryetarit të Parlamentit, që nuk do të ketë asnjë tolerancë. Afatin e kthimit të përgjigjes e keni të qartë. Ose jepuni të drejtën qytetarëve që të shkojnë në gjykatën administrative dhe të gjejnë të drejtën, por ama mos i lini pa përgjigje. Të gjithë ankohen për ju, edhe noterët edhe ALUIZNI, etj. Konkretisht për disa rrethe si Shkodër, Lezhë, Vlorë, Fier ka ankesa për vonesa në titujt e pronësisë, pra zyrë me zyrë, shtet me shtet, e jo më me qytetarët. Të jeni të bindur se do të pastrohen njerëzit që nuk e kryejnë punën. Kjo është e patolerueshme dhe është sfidë e shtetit shqiptar”.Ministri i Drejtësisë i ashpërsoi tonet kur foli për një situatë të pakënaqshme në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sidomos në zvarritjen e proçeseve.Manjani: “Lexoni progres raportin se çfarë thotë për ju, deri në Bruksel ju ka vajtur nami. Do të ketë masë ekstreme të largimit nga puna për cilindo që shkel afatet në shërbim. Po kërkoj vetëm afate dhe asgjë tjetër. Nuk mund të kemi marrëdhënie pune me njerëz ç'njerëzorë. Dhe mos u frikësoni se po na ikin disa dhe nuk kemi se ku t'i gjejmë. Po po, do ikin disa. Kujdes edhe nga këto tradicionalet që sa ikin nga shërbimi shkojnë tek kioska përballë zyrës. Janë të gjithë në monitorim!”Ndërsa nga ana e tij kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho, pranoi se sistemi nuk është ende në standardet e dëshiruara dhe kjo për shkak të mangësive të akumuluara ndër vite./Oranews.tv/