Rriten fondet për bujqësinë, në total 10.5 mld lekë
Vitin e ardhshëm qeveria ka rritur fondet për bujqësinë, duke planifikuar në draftbuxhetin 2016 një shumë prej 10.5 miliardë lekësh. Gjysma e këtij fondi janë investime dhe kryesisht në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, të dëmtuar nga përmbytjet. Ndërkaq fondet e planifikuara për emergjencat civile vlerësohen në vetëm 144.9 milionë lekë.Bujqësia do të jetë një ndër sektorët që vitin e ardhshëm do të marrë pjesën dërrmuese të fondeve të buxhetit të shtetit. Një vëmendje financiare që ka munguar deri më tani, edhe pse ajo është konsideruar nga qeveria si një sektor prioritar. Sipas tabelave të projektbuxhetit 2016, në total fondet buxhetore për bujqësinë do të jenë vitin e ardhshëm 10.5 miliardë lekë, nga të cilat 5.2 miliardë lekë do të jenë investimet. Kundrejt buxhetit të këtij viti, fondet për këtë sektor janë rritur me rreth 2 miliardë lekë. Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e totalit të investimeve në bujqësi, më saktësisht 3.3 miliardë lekë do të shkojnë menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes.Kjo edhe për faktin se infrastruktura në shumë zona të vendit është dëmtuar nga përmbytjet e fundit dhe investimet janë bërë të domosdoshme për të përballuar përmbytjet e rradhës.Qeveria ka planifikuar gjithashtu, që në kuadër të decentrazimit, për ujitjen dhe kullimin, shërbime që do të kalojnë nën varësi të pushtetit vendor, t'u japet bashkive të reja edhe një fond prej 2.45 miliardë lekësh.Ndërkaq në draft buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar edhe fondi prej 144.9 milionë lekësh për emergjencat civile.Mungesa shumëvjecare e investimeve në bujqësi, veçanërisht për argjinaturat, sistemin e ujitjes dhe kullimit përballë edhe përmbytjeve që po bëhen gjithmone e me të shpeshta, i ka bërë të domosdoshme ndërhyrjet. Situata problematike e pranuar edhe nga Ministria e Bujqësisë detyroi qeverinë që pak ditë më parë të shtonte me 61.5 milionë lekë fondin për emergjencat civile, për mbulimin e shpenzimeve për rehabilitimin e infrastrukturës së dëmtuar, dëmshpërblimin e familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar nga fatkeqësi të ndryshme, si dhe fond reserve prej 88.5 milionë lekësh, për të përballuar emergjencat e pritshme dimërore./Oranews.tv/