Naço kundërshtoi rikthimin e kriminalizimit të shpifjes
Para sa të merrte rrugën institucionale për të shkuar në parlament, Ministria e Drejtësisë, ka rezervuar kundërshti të forta për iniciativen ligjore të kryeministrit Edi Rama, që kriminalizon shpifjen. Në një letër që mban datën 17 shtator, ish-Ministri Nasip Naço e vlerëson inisiativën atikushtetuese dhe në shkelje të konventave ndërkombëtare.Nisma e kryeministrit, Edi Rama, për të kriminalizuar shpifjen, është kundërshtuar që në krye të herës nga ministria e Drejtësisë, por pa mundur që ta bllokojë atë.Në një letër që mban datën 17 shtator, të cilën Ora News e ka siguruar, ish Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i shpreh qeverisë kundërshtinë për ligjin duke e cilësuar në shkelje të Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare.“Në zbatim të dispozitave të Kushtetutës dhe ligjit nr.9000/2003, vlerësojmë se iniciativa e propozuar nga ana juaj duhet të vijohet nga autoriteti që njeh Kushtetuta dhe ligji, pasi propozimi i iniciuar, nuk është brenda fushës së veprimtarisë së parashikuar në VKM nr.843/2013. Nevojiten argumentet bindës nëse mbrojtja që ofrohet përmes kësaj dispozite është e justifikuar dhe nuk cënon parimin për mbrojtje të barabartë për të gjithë”.Gjithashtu Naço, në letrën që i drejtohet Ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, thotë se qeveria nuk e justifikon qëllimin e ndryshimeve në Kod Penal.“Sugjerojmë që propozimi juaj të rivlerësohet, duke argumentuar me kujdes arsyet që çojnë në nevojën për parashikimin e një vepre të re penale”.Ish-Ministri i Drejtësisë i kërkonte gjithashtu parlamentit se para hartimit të ndryshimeve në Kodin Penal të konsultohej gjërësisht duke pasur në konsideratë ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2012, kur shpifja u dekriminalizua me konsensus mes socialistëve dhe demokratëve.