Xhungla e madhe që zëvendësoi shkretëtirën mediatike
Nëse vëzhgojmë situatën e medias në Evropën Juglindore, shohim se disa elementë duken si specifike për këtë rajon, ndërsa të tjera paraqiten si sfida më të përbotshme ndaj përmirësimit dhe sigurimit të lirisë e pavarësisë së medias.Liria dhe pavarësia e medias janë koncepte të dallueshme nga njëra-tjetra, por që gjithsesi mbeten të ndërvarura: Nuk mund të ketë liri të medias pa pavarësi të saj.Fenomeni i parë mbresëlënës është moria e mediave në një treg relativisht të vogël. Kjo xhungël pak a shumë e padepërtueshme e medias lokale dhe kombëtare çon në furnizim të tepërt për një numër relativisht të vogël konsumatorësh.Në shikim të parë, mund të tundohemi të mendojmë se ky furnizim i madh është pozitiv dhe se i ofron konsumatorit një gamë të gjerë informacionesh, opinionesh e nivelesh të ndryshme cilësie.Por një hetim më i hollësishëm i këtij pluralizmi mediatik të sipërfaqshëm çon në përfundimin disi të trishtueshëm se:· përmbajtja e informacionit të disponueshëm mbetet e kufizuar,· informacioni përqendrohet kryesisht te çështjet e brendshme,· artikujt e lajmeve shpesh kopjohen shabllon pa kontroll të dyfishtë dhe· trysnia për të dhënë lajmin, veçanërisht për kanalet kryesore që transmetojnë lajme në format 24-orësh, çon shpesh në krijimin virtual të sensacioneve mediatike për tema që nuk meritojnë vëmendje aq të tepruar.Ky fenomen i xhunglës mediatike mund të shpjegohet më tej si një reagim ndaj faktit se gjatë regjimeve të mëparshme diktatoriale ose autoritare, situata e medias ishte e krahasueshme me një shkretëtirë informacioni. Megjithatë, nga pikëpamja ekonomike, për pjesën më të madhe të mediave, mundësitë për qëndrueshmëri ekonomike janë të pakta.Kjo mungesë stabiliteti ekonomik jehon negativisht mbi cilësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Gjithashtu, kjo i bën mediat të cenueshme ndaj trysnisë dhe ndikimeve të jashtme, duke prekur kështu pavarësinë e tyre editoriale.Një tjetër fenomen me ndikim negativ mbi pavarësinë editoriale është struktura e pronësisë së mediave.Në shumë raste, struktura e pronësisë nuk është e qartë sa duhet, çka është në përplasje të drejtpërdrejtë me konceptin e transparencës, si një prej detyrave kyçe të medias në një shoqëri demokratike. Megjithatë, në disa raste dihet mirë se cila strukturë pronësie qëndron pas organeve mediatike, veçanërisht për ato media dhe grupe mediatike të mirëvendosura e me ndikim. Shumica e këtyre të fundit janë në pronësi të biznesmenëve, kompanive ose grupeve të biznesit, ku media, në shumë raste, përfaqëson vetëm një veprimtari biznesi shtesë.Për pasojë, veprimtaritë mediatike shpesh përdoren për promovimin e interesave të caktuara që shkojnë përtej qëllimit parësor të medias, që është ofrimi i informacionit të besueshëm, argëtimit dhe edukimit. Kjo sjell edhe në kufizimin e pavarësisë editoriale.Nga ana e saj, pavarësia e kufizuar editoriale çon në besim të kufizuar për sa i përket përmbajtjes së paraqitur në media dhe në një mungesë të përgjithshme besimi te media si e tillë. Pasoja e kësaj është një situatë ku, nga njëra anë, në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka bollëk organesh mediatike, por, nga ana tjetër, besimi në to është shumë i kufizuar. Numri i mediave cilësore mbetet shumë i ulët. Megjithatë, interneti mund të ofrojë një mundësi për të balancuar këtë prirje mbizotëruese.Fenomeni i tretë që dua të përmend ka të bëjë me situatën e punësimit të gazetarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.Duket se ekziston një praktikë shumë e përhapur e dobësimit të pavarësisë profesionale të gazetarëve duke i mbajtur ata të varur personalisht ndaj punëdhënësve të tyre, në shkelje të dispozitave ligjore. Kjo merr kryesisht formën e punësimit të paligjshëm ose të vonesave në pagesën e rrogave dhe shpërblimeve. Edhe pse kjo situatë e parregullt mund të ndodhë për shkak të kufizimeve financiare që hasin, për shembull, mediat e paqëndrueshme ekonomikisht, ajo mund të bëhet edhe qëllimisht për të maksimizuar kontrollin mbi gazetarët.Kjo çon në një situatë ku shumë gazetarë mbeten të pambrojtur, jo vetëm kundrejt punëdhënësve, por edhe kundrejt trysnive dhe ndikimeve të jashtme, gjë që ndikon negativisht mbi standardet e përgjithshme profesionale. Më e rëndësishmja është se kjo sjell rrezikun e vetëcensurimit.Cilat janë disa prej zgjidhjeve të mundshme për mangësitë e përmendura deri tani?Cili duhet të jetë reagimi i duhur ndaj një situate ku, në shikim të parë, liria e medias dhe liria e shprehjes duken të padëmtuara nga kufizime të jashtme, por ku mungesa e pavarësisë, veçanërisht e pavarësisë editoriale, e shkaktuar nga shtrëngimet ekonomike, trysnia përmes mjeteve ekonomike dhe vetë-censurimi, po rezulton drejtpërsëdrejti në kufizime të forta të këtyre lirive?Çfarë mund të bëjmë që xhunglës së madhe që ka zëvendësuar shkretëtirën mediatike t’i jepet një strukturë e tillë që të mos ndërhyjë në lirinë e medias apo të shprehjes?Jam i bindur se nuk është nevoja as të shpikim rrotën nga e para, as të shpresojmë për frymëzim të jashtëzakonshëm. Zgjidhjet janë formuluar tashmë; apele dhe deklarata janë përsëritur vazhdimisht, drejtuar kryesisht politikës dhe gjyqësorit. Përkushtimi aktiv i politikës për të garantuar lirinë dhe pavarësinë e medias dhe përkushtimi i gjyqësorit për mbrojtjen e tyre në mënyrë efektive përmes zbatimit të ligjit janë parakushtet për sigurimin e pavarësisë editoriale.Një tjetër mënyrë premtuese për të siguruar lirinë e shprehjes dhe pavarësinë editoriale është shndërrimi i transmetuesve publikë në institucione të pavarura, të besueshme e llogaridhënëse. Ata duhet të kenë një planifikim programesh të bazuar në cilësinë dhe mandatin edukativ të mirëpërcaktuar, si dhe në një politikë informative të bazuar në paanshmëri dhe besueshmëri.Më lejoni të sjell këtu një shembulli konkret nga Shqipëria: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me vetë transmetuesin publik, ka nisur një reformë gjithëpërfshirëse dhe program modernizimi për transmetuesin publik të Shqipërisë. Partnerë të ngushtë në këtë projekt ambicioz janë Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimi Evropian i Transmetimeve dhe UNESCO.Sfida kryesore ndaj zbatimit të kësaj zgjidhjeje nuk qëndron në disponueshmërinë e gazetarëve profesionistë ose në pasjen në dispozicion të mjeteve të nevojshme financiare. Përpjekja kryesore duhet dëshmuar nga forcat politike konkurruese për të rënë dakord për një institucion të pavarur që u shërben të gjithëve, garanton lojë të ndershme dhe ofron përmbajtje cilësore.“Konferenca e Tretë e OSBE-së për Median në Evropën Juglindore”, e mbajtur në Tiranë në shtator 2013, bëri një përmbledhje të veprimeve të nevojshme. Duket shumë e thjeshtë, por gjithsesi kërkon përpjekje të madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin: “Autoritetet kanë përgjegjësinë të krijojnë një mjedis ligjor dhe rregullues që do të garantojë pavarësinë politike, editoriale dhe financiare të transmetuesve publikë.”(Fjala e Kryetarit te Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig në konferencën për lirinë e shprehjes “SpeakUp3” që po zhvillohet në Bruksel, organizuar nga Komisioni Evropian/ 4 Nentor 2015)