Veliaj: Në 2016 nisim ndërtimin e shkollave të reja në partneritet me privatin

Duke filluar nga viti i ardhshëm, Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë nismën për ndërtimin e shkollave të reja në partneritet me privatin.Kryebashkiaku Veliaj tha se përmes ndërtimit të shkollave i jepet fund brenda këtij mandati mësimit me dy turne.Veliaj: “Ambicja jonë për të ndërprerë historinë e shkollave me dy turne do të mbarojë vitin tjetër. Jam shumë shpresëplotë që me nismën që kemi për të ndërtuar shkolla, në bashkëpunim publik-privat, ne do të zgjidhim brenda këtij mandati çështjen e shkollave me dy turne. Këtë do ta fillojmë nga viti tjetër, për t’i dhënë drejtim shpejt e për të mos e lënë në ditët e fundit”.Deklaratat Veliaj i bëri gjatë përurimit të çerdhes së re nr. 60 në kryeqytet. Ai informoi se shumë shpejt do të nisë diskutimi i buxhetit të ardhshëm i bashkisë me qytetarët e Tiranës.Veliaj: “Çdo sasi uji që vidhet është një pagesë e munguar me të cilën mund të bëjmë më shumë shkolla, kopshte e çerdhe dhe besoj se viti i ardhshëm do të jetë viti i shkollave, ku ne do të kemi investimet më të mëdha në këto 25 vitet e fundit”.Ai theksoi se qyteti mbahet nga të ardhurat, ndaj dhe bashkia do t’i mbledhë rregullisht taksat dhe detyrimet.Veliaj: “Ne jemi në fund të projektit tonë për adoptimin e çerdheve, ndërsa kemi filluar një nismë tjetër me kopshtet dhe duam që, para se të vijnë festat e fundvitit, të sigurohemi gjithashtu, që edhe kopshtet e Tiranës të jenë në gjendje të mirë. Gjithmonë, motoja jonë ka qenë: Ne nuk mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, ne mendojmë për gjeneratën e ardhshme”.Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Tiranës shprehu kënaqësinë se çerdhja që inaugurohet në zonën e Shkozës ka të njëjta standarde si një godinë në Bllok.Ai shprehu besimin se njerëzit trajtohen me të njëjtin respekt kudo qofshin ata dhe në një zonë ku bashkia ka investuar me banesat sociale, investohet edhe në një çerdhe të re.