Vetëvritet 41 vjeçarja, arrestohet bashkëshorti, e dhunonte sistematikisht

Uniformat blu të policisë së Hasit, kanë vënë në pranga një 49 vjecar, i cili dyshohet se ka çuar drejt vetëvrasjes bashkëshorten e tij. Uniformat blu të policisë, bëjnë të ditur se është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bali Muhadri, vjeç 49, banues në Vlahën, Has, pasi gjatë ditës së djeshme në  banesën e tij është vetvrarë me armë zjarri bashkëshortja e tij, shtetasja A.M, vjeçe 41.Policia thotë se shkaku i vetëvrasjes dyshohet si rrjedhojë e keqtrajtimit sistematik dhe sjelljeve të tjera  sistematike, që  kanë prekur rëndë dinjitetin e viktimës A.M, e cila  ka marrë armën e zjarrit automatik model 56, kalibër 7,62-mm, të cilin shtetasi Bali Muhadri, e mbante pa lejen e organeve kompetente dhe  është vetvrarë në kuzhinën e banesës së saj.Të njëjtat burime thonë se, sapo uniformat blu janë njoftuar, ata kanë shkuar në banesë dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur e sekuestruar arma automatik model 56, kalibër 7.62-mm, 1 gëzhojë, 1 predhë metalike me ngjyrë bakri, si dhe 25-copë fishekë.Efektivët e policisë kanë bërë arrestimin e bashkëshortit Bali Muhadri, për veprat penale"Shkaktimit të vetvrasjes" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake".