Tatimorët e Elbasanit: Biznesi po shmang detyrimet, kupon nën vlerën e mallit
Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Elbasan konfirmon se bizneset në këtë qark po gjejnë forma të tjera për shmangur detyrimet ndaj shtetit. Sipas kreut të Tatimorëve në Elbasan, janë evidentuar raste kur biznesi jep kupon tatimorë, por nën vlerën reale të mallit të shitur.Drejtoria e Tatimeve në Elbasan zbulon se bizneset po gjejnë forma të tjera për të shmangur shlyerjen e detyrimeve në shtet, duke lëshuar kupon tatimor nën vlerën e mallit të shitur.Sipas kryetatimorit, Flobens Dilaveri, kanë qenë vetë konsumatorët që kanë denoncuar skemën mashtruese.Flobens Dilaveri: "Në pafundësisht shumë raste subjektet presin kupon tatimor me vlerë më të vogël sesa shërbimi që ofrojnë ose produkti që shesin. Dhe kjo është një formë e evazionit fiskal, kjo është një formë që po devijon punën tonë duke na kthyer në ca standarte që ne menduam se i kaluam, por ndërkohë edhe ul të ardhurat në buxhetin e shtetit".Nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve Elbasan, prej nisjes së aksionit ndaj informalitetit janë vetëregjistruar 1700 subjekte të reja, ndërsa 400 fermerë kanë kërkuar të pajisen me kartë.Nga shtatori janë kontrolluar 8400 biznese dhe janë gjobitur 438.