Matteo Renzi: Pensionisti i cili vrau një hajdut nuk është një hero
Vazhdojnë të jenë të ndezura debatet politike italiane mbi ngjarjen e vrasjes së shqiptarit nga pensionisti italian, të cilit po i grabiste shtëpinë. Kryeministri italian Matteo Renzi gjatë një interviste televizive dhënë për gazetaren Lilli Grubber në LA7 u shpreh se "kur gjyqësori heton, politika duhet të heshtë. Të bësh hero pensionistin është mbi të gjitha një gabim për personin, si dhe për dinamikën e ngjarjes e cila nuk është ende e qartë."Ndërsa deputetja e së djathtës italiane Daniela Santachè gjatë një debati televiziv mbi këtë ngjarje është shprehur:"Pensionisti ka bërë shumë mirë që ka qëlluar, do të kisha qëlluar dhe unë. Nëse dikush më hyn në shtëpi në mes të natës, nuk është se do t'i kërkoj dokumentat, nuk kanë asnjë dyshim se si do sillem. Bëhet fjalë për një kriminel shqiptar, që ka kryer më parë disa vjedhje, me një urdhër dëbimi nga territori italian, pra një klandestin që kur më hyn në shtëpi unë i qëlloj."Lideri i Lidhjes së Veriut Matteo Salvini është shprehur se do të kërkoj nga rajoni i Lombardisë mbulimin e shpenzimeve legale për mbrojtjen e pensionistit italian nga akuza e vrasjes së qëllimshme."Ka bërë mirë që ka qëlluar për t'u mbrojtur, është shprehur Salvni. Kush të hyn në shtëpi e ka kërkuar vetë këtë reagim."Ndërkohë hetimet e para të ngjarjes kanë vërtetuar se plumbi i cili ka shkaktuar vdekjen e shqiptarit ka ndjekur një trajektore nga lart poshtë, që do të thotë se pensionisti e ka goditur grabitësi nga pjesa e sipërme e shkallëve, ndërsa ky i fundit ndodhej poshtë tyre. Ky fakt hedh poshtë versionin e pensionistit italian sipas të cilit shqiptari është qëlluar brenda në kuzhinën e shtëpisë. Sipas hetimeve paraprake, në portat e dritaret e vilës nuk ka asnjë gjurmë dhunimi apo hapjes së forcuar të tyre.Plumbi i pistoletës, qëlluar nga pensionisti italian e ka goditur shqiptarin në zemër.Më datën 26 tetor është caktuar dita e kryerjes së autopsisë së trupit.