OSBE/ODIHR dorëzon raportin për zgjedhjet, e gatshme të vijojë bashkëpunimi

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 21 qershorit tashmë është në duart e qeverisë shqiptare.Ambasadorja Audrey Glover, në cilësinë e saj si Kreu i Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore i dorëzoi sot ministrit të Punëve të Jashtme raportin.Gjatë takimit, palët diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit përfundimtar, vlerësuan arritjet e shënuara si dhe theksuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në funksion të përmirësimit dhe forcimit të demokracisë në vend, informon ministria e Jashtme.“Ministri Bushati e vlerësoi raportin si të balancuar, që fotografon arritjet dhe identifikon sfidat që mbeten për t’u adresuar nga aktorët politikë dhe institucionet e administratës zgjedhore. Në emër të qeverisë shqiptare, ai shprehu angazhimin për të adresuar rekomandimet, me synim konsolidimin e procesit zgjedhor në Shqipëri mbështetur në praktikat më të mira dhe angazhimet e OSBE/ODIHR-it.Nga ana e saj Znj. Glover vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për mbarëvajtjen e gjithë misionit vëzhgues nën drejtimin e saj, si dhe shprehu angazhimin e ODIHR-it për të vijuar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë” thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme./Oranews.tv/