Vazhdon kalimi i refugjatëve në kufirin kroato-hungarez, mbi 4500 brenda natës
Një korridor në kufirin kroato-hungarez vijon të qëndrojë i hapur, pavarësisht deklaratës së kryeministrit Viktor Orban, i cili tha se po konsideronte mundësinë e forcimit të masave në pikat ndarëse territoriale. Mijera refugjatë kaluan midis dy shteteve, të dërguar me trena dhe autobusë nga qeveria kroate, ku secili prej tyre po përpiqet dëshpërimisht të mbërrijë në Europën Perëndimore. Pas futjes në Hungari, autoritetet mësohet se i dërgojnë refugjatët në kufirin me Austrinë.Vetëm gjatë natës së shkuar (29 shtator) mësohet se mbi 4.500 njerëz kanë ndjekur këtë itinerar. Pjesë e aksionit, përveç policisë, janë bërë dhjetëra vullnetarë. Një prej tyre është Marku, i cili pas një nate pa gjumë, po nxiton të arrijë punën në Budapest. Në një intervistë për reporterët, ai shprehet se shumica e emigrantëve ka nevojë për ushqim dhe ujë.Ndërkohë, rojat bregdetare të Libisë në bashkëpunim me ata të Italisë, kanë shpëtuar mbi 1100 emigrantë në brigjet e Kabulit, 50 km larg Tripolit. Refugjatët vinin nga vende të ndryshme të Afrikës ku mes grupit kishte shumë të rinj dhe fëmijë.Nga fillimi i vitit, e deri më tani, 500.000 njerëz kanë tentuar të mbërrijnë në Europë përmes detit Mesdhe. Gjatë këtyre përpjekjeve, 2500 persona kanë humbur jetën.