Nishani: Tërshana do të kujtohet ngaherë si zë kumbues dhe i spikatur ndër dekada

Presidenti Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së këngëtarit të shquar, Tonin Tërshana, i cili ndërroi jetë një ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë.Duke e vlerësuar për interpretimet e tij virtuoze, Nishani thekson se Tonin Tërshana do të kujtohet ngaherë si një zë kumbues dhe i spikatur ndër dekada në festivalet e përvitshme të Radio-Televizionit dhe skenat anembanë Shqipërisë.Mesazhi i Presidentit“Të dashur familjarë të të ndjerit Tonin,Në këto çaste dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!Me ikjen e tij të parakohshme nga jeta, ju humbët njeriun tuaj më të dashur e më të pazëvendësueshëm, ndërsa ne dhe të gjithë artdashësit humbëm një nga këngëtarët më të talentuar e të përkushtuar, i cili me mjeshtëri e profesionalizëm të rrallë ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën tonë.Me interpretimet e tij virtuoze, Tonin Tërshana do të kujtohet ngaherë një zë kumbues dhe i spikatur ndër dekada në festivalet e përvitshme të Radio-Televizionit dhe skenat anembanë Shqipërisë.Edhe një herë në këto çaste të vështira, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e rëndë njerëzore, duke ju shprehur edhe një herë ngushëllimet e mia më të sinqerta personale dhe institucionale njëkohësisht!” – thuhet në mesazhin e Presidentit Nishani.