Kastro i dhuron Papës një kryq 2 metra të lartë me rremat e barkave të emigrantëve
Një kryq i lartë 2 metra i realizuar nga rremat e emigrantëve që kapërcejnë Mesdheun, është dhurata që Presidenti kubanez Raul Kastro i ka dorëzuar Papa Franceskos gjatë takimit të zhviluar dje në praninë e personaliteteve më të larta të shtetit të Kubës e të Kardinalit të Havanës Jaime Ortega.Ky kryq është realizuar nga artisti kubanez Alexis Leyva Machado, i njohur me pseudonimin Kcho, e qëndroi i ekspozuar në Palacio de la Revolucion gjatë takimit të Papa Franceskos me Presidentin Kastro.Në Selinë e Shenjtë në Vatikan gjënden aktualisht dy vepra të artistit Kcho, njëra prej të cilave është një pikturë që prezanton një kryq të formuar nga barkat e emigrantëve, dhuruar në muajin maj të 2015, gjatë vizitës së Presidentit kubanez në Vatikan.Me këtë dhuratë lideri kubanez shpreh afërsinë e shtetit kubanez me qëndrimin e Selisë së Shenjtë e Papa Franceskos përsa i përket cështjes së emigrantëve.Dy vjet më parë në korrik të 2013 Papa Francesko në ishullin e Lampeduzës, aty ku zbarkimet e emigrantëve përmes Mesdheut janë cdo ditë e më të shumta, mbajti meshën e tij mbi një altar të ndërtuar me pjesët e mbetura nga anijet e barkat e emigrantëve.Nga ana e tij Papa Francesko i ka dhuruar Presidentit kubanez një mozaik të shënjtores Virgen de la Caridad del Cobre, shënjtorja mbrojtëse e Kubës. Pas Kubës, më 22 shtator Papa Francesko do të udhëtoj drejt SHBA, e më 23 shtator pritet të vizitoj Shtëpinë e Bardhë ku do të takohet me Presidentin Barack Obama e do të mbaj fjalimin e parë të tij në tokën amerikane.