1 vit nga vizita e Papës dhe shpresa për shenjtërimin e Martirëve në Vatikan
1 vit më parë, pikërisht 21 shtator 2014, tokën Shqiptare do ta shkelte për herë të dytë në harkun kohor të 25 viteve demokraci, një Papë. Emocionet e vizitës së Papa Franceskut ende janë prezente. Famullitari i Shkodrës dom Artur Jaku ndan përjetimin e asaj dite të shënuar, ndërkohë që ceremonitë zyrtare janë lënë për të shtunën e 26 shtatorit kur edhe në duart e shqiptarëve do të mbërrijë libri që pasqyron të plotë kronologjinë e një vizite që vuri Shqipërinë dhe shqiptarët në sytë e të gjithë botës.Gazetari : 1 vit pas vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, sa e rëndësishme ka qenë kjo vizitë për Kishën Katolike specifikisht dhe për popullin shqiptar?Dom Artur Jaku, Famulltari i Shkodrës: “Vizita e Papa Françeskut nuk ka pasur impakt vetëm për kishën katolike por për të gjithë Shqipërinë. U reflektua emri i Shqipërisë, është njohur në të gjithë botën. Për Kishën Katolike kjo vizitë merr tjetër rëndësi sepse kur kishën e viziton Papa thuhet se e ka vizituar një apostull i Krishtit. Misioni i një Pape është për të përforcuar besimtarët në fe. Ne si katolikë, si kishë jemi ndjerë krenarë për vlerën e madhe të kësaj vizite. Ajo që më ka ngelur në mendje ishte lartësimi i figurave të martirëve. Gjatë këtyre viteve nuk i është dhënë vlera që meritojnë martirët dhe ardhja e papës ka qenë një nxitje që këta dëshmitarë të Krishtit të lartësohen jo vetëm në Shqipëri por të gjithë botën”.Gazetari : 1 vit pas kësaj vizite, çfarë ndodh me kanunizimin e këtyre martirëve sepse Kisha Katolike e pret me interes këtë çështje?Dom Artur Jaku, Famulltari i Shkodrës:“Procesi për kanunizimin dhe shpalljen si martirë nga Vatikani është process që vazhdon. Ne jemi në pritje e shpresojmë që t’i kemi të shenjtëruar në Vatikan. Kjo do të ishte diçka e mirë për popullin shqiptar”.Gazetari : Jo gjithçka është parë nga sytë e medias gjatë vizitës së një viti më parë. Ka pasur porosi të veçanta që Ati i Shenjtë ka lënë sepse ka qenë dhe një takim ndërfetar ?Dom Artur Jaku, Famulltari i Shkodrës:“Realisht gjithçka ka qenë e pasqyruar në media sidomos fjalimet e porositë zyrtarë për shqiptarët, por takimi ndërfetar në krejt axhendën e Papa Françeskut ka qenë me rëndësi të veçantë pasi Papa herë pas here dhe në avion, theksonte bashkejetesën fetare. Ajo që spikati ishte termi “vëllazëri fetare” me të cilën Papa na ka cilësuar”.Gazetari: Shpesh në media kur përdoret termi ndasi e mbyllin me kaq. A ka vërtet vëllazëri në komunitetet fetare në Shqipëri apo më shumë tentojmë ta shesim si të tillë?Dom Artur Jaku, Famulltari i Shkodrës:“Realisht fjala vëllazëri përdoret se jemi prej një gjaku. Përkatësitë fetare mund të jenë të ndryshme por mbetet përgjegjësi e çdo komuniteti e çdo drejtuesi që këtë vëllazëri ta perfeksionojë e të ecim përpara. Ne jemi vëllezër por në vëllazëri ka dallime, ka diferenca. Ky është misioni i të gjithëve, që të jetojmë si vëllezër në këtë vend e tokë”.Gazetari: Po bën revolucion Papa Françesku me kishën katolike me reformat që ka ndërmarrë që prej ardhjes së tij. Si po i sheh Kisha Katolike këto reforma?Dom Artur Jaku, Famulltari i Shkodrës:“Askush në fakt nuk e priste që Papa Françesku do bënte këto reforma por mendoj që Zoti vepron, në momentin e duhur në vendin e duhur. Me ardhjen e Papës, këto reforma ishin e janë të nevojshme. Këto reforma do t’i shërbejnë për mirë komunitetit. Ai po merret edhe me çështjen e emigrantëve. Çdo person pavarësisht përkatësive fetare ne ta shohim si birin e Zotit”Gazetari: Ka ndryshuar ndonjë gjë që kur Papa Françesku shkeli në tokën shqiptare? Si është situata brenda kishës katolike në Shqipëri sepse në këto 25 vite ka pasur zhvillime të rëndësishme?Dom Artur Jaku, Famulltari i Shkodrës:“Vizita e Papës në Shqipëri, veçanërisht për Kishën Katolike ka qenë e rëndësishme. Sepse siç thamë Papa ka një mision, që të përforcojë besimin në fe tek besimtarët. Ajo që është e veçanta tek Papa Françesku dhe tek bekimi që i ka dhënë Shqipërisë e jo vetëm katolikëve, nuk është një bekim i përditshëm por vlen përgjithmonë. Vizitën e tij do ta kujtojmë të shtunën në Tiranë në një meshë të kremtuar në Katedralen e Shën Palit në orën 17:00. Pas meshës do të jetë edhe libri që është botuar enkas për vizitën e tij me të gjitha materialet e asaj dite dhe promovimi i këtij libri”Gazetari : Këtë vit është edhe 25 vjetori i rikthimit të hyjnisë së besimit në Shqipëri, është Shkodra sërish në qendër të vëmendjes sepse është qyteti që rikthen atë që shumë besimtarë prisnin pas 50 vjetëve të diktaturës komuniste. Ka diçka që do t’i shtoni meshës së parë të kremtuar nga Dom Simoni?Dom Artur Jaku, Famulltari i Shkodrës:“Sigurisht jo vetëm Shkodra por e gjithë Shqipëria përkujton 25-vjetorin e kremtimit i daljes nga një sistem izolimi në një liri edhe se të brishtë, dhe pas 25 vjetësh jam i sigurtë që kemi shumë për të reflektuar : a ekziston liria e vërtetë? Ne si Kishë kemi disa iniciativa, psh sistemimi i kapelave të varrezave bashkë me Ministrinë e Kulturës për t’i dhënë dinjitetin atij vendi. Nga ana e jashtme po mundohemi shumë ta përgatisim atë vend por dhe te Katedralja e Shkodrës , po punohet me ritme të shpejta për një muze që do pasqyrojë historinë e Kishës këto 25 vite, gjatë kohës së komunizmit por edhe para kohës së komunizmit. Kemi një axhendë tjetër që nuk do ta bëj publike pasi një gjë të tillë do ta bëjë vetë ipeshkvi pas disa ditësh”
/Oranews.tv/