"Burg" vëllait të kryebashkiakut të Poliçanit, mohon se droga është e tij
Gjykata e Beratit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Artur Zotkajn, vëllain e kryetarit të bashkisë së Poliçanit. Artur Zotkaj akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike pasi tre ditë më parë gjatë kontrollit në biznesin e tij i janë gjetur 19 kilogramë marijuanë.
Së bashku me Artur Zotkaj u ndaluan edhe Kreshnik Hysenebelli, 24 vjeç, banues në Poliçan, Abedin Nurellari, 38 vjeç, banues në Poliçan, Destared Allko, 23 vjeç, banues në Skrapar ndërsa u shpall në kërkim shtetasi me iniciale E.H, 22 vjeç, banues në Poliçan.
Avokati i Zotkaj,Agron Isufaj, e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e klientit të tij,me pretendimin se nuk ka asnjë lidhje me drogën e gjetur në biznesin e tij dhe ka kërkuar nga Gjykata masën e sigurisë “arrest shtëpie” ose “arrest në burg me afta,pasi klienti i tij vuan nga probleme shëndetësore. Sipas Isufajt Zotkaj vuan nga mushkëritë dhe mëlçia dhe është nën terapi dhe kurim mjekësor.
Vetë i akuzuari Artur Zotkaj, i pyetur nga gjyqtari Kostika Çobanaqi është shprehur se nuk ka pasur fare dijeni për drogën,se nuk ka qënë në dijeni se çfarë ka pasur në biznesin e tij dhe se drogën atje mund ta ketë vënë kushdo. Zotkaj ka akuzuar forcat e policisë se kanë rrahur dhe ushtruar dhunë mbi një prej të arrestuarve,kunatin e tij Abedin Nurellari,i cili është invalid dhe roja e biznesit,duke e detyruar atë me dhunë të pohojë se droga ka qënë në emrin e Zotkaj.
Megjithë pretendimet e të akuzuarit Zotkaj dhe avokatit të tij,Gjykata e Beratit e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin dhe ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë të kërkuar nga Prokuroria,atë të “arrestit në burg” pa afat. Më herët,gjyqtari Kostika Çobanaqi,ka dhënë edhe masat “Arrest në burg” pa afat për 3 të arrestuarit e tjerë: Abedin Nurellari,Kreshnik Hysenbelli dhe Desaret Hallko.