Qeveria i kërkon KiE dhe SHBA rekordet penale të shqiptarëve

 Ministria e Drejtësisë do të ketë shumë shpejt në dorë një listë me emrat e shqiptarëve që kanë kryer krime në vendet e Këshillit të Europës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkesa për të pasur këtë informacion është dorëzuar zyrtarisht sot si pjesë e proçesit të dekriminalizimit. Ministria e Drejtësisë i kërkon informacion Këshillit të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me rekordet penale të të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë qenë objekt i shqyrtimit apo i regjistrimit në zyrën e gjendjes gjyqësore të këtyre shteteve.Kërkesa që vjen në mbështetje të proçesit të dekriminalizimit u është dorëzuar sot  zyrtarisht Ministrive të Drejtësisë dhe trupi diplomatik të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, ndërsa është kërkuar asistencë edhe departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, “informacioni që do të sigurohet do t'i shërbejë përmirësimit të sistemit për mbajtjen e rekordeve penale. Çka do të thotë krijim dhe përmirësim i një baze të dhënash, ku do të jenë të evidentuar të gjithë shtetasit shqiptar që janë proceduar apo janë gjykuar në vendet e Këshillit të Europës për çështje të ndryshme penale apo administrative”.Ministria e Drejtësisë deklaron se kjo nismë do të rrisë besimin e publikut, te institucionet shtetërore.Bëhet e ditur gjithashtu se po analizohet situata  aktuale, si dhe do të dixhitalizohet Zyra e Gjendjes Gjyqësore për të dënuarit brenda vendit, po kështu edhe për të dhënat e administruara prej vitesh, të cilat ndodhen në Arkivën e Ministrisë së Drejtësisë.