Raporti i Canit në Kuvend shpjegon arsyet: Investimet e huaja u realizuan në masën 60%
Qeveria ka hasur vështirësi këtë vit, jo vetëm në realizimin e të ardhurave buxhetore, por edhe në drejtim të shpenzimeve. Në një raport që ministria e Financave i ka dërguar Kuvendit ka pranuar problemet në realizimin e invetsimeve, kryesisht atyre me financim të huaj. Duke iu referuar rezultateve të 6 mujorit, dikasteri i Canit ka sqaruar se i gjithë deficiti në shpenzimet kapitale është krijuar në shpenzimet me financim të huaj, të cilat janë realizuar në masën 60 për qind, duke krijuar një deficit prej 5.5 miliardë lekësh. Këto shpenzime kanë rënie edhe në krahasim me vitin e mëparshëm.Ministria e Financave shpjegon se shkaku kryesor i mosrealizimit të tyre është planifikimi i fryrë nga ministritë e linjës për projektet me financim të huaj. Gjithashtu, mosmarrja në konsideratë e procedurave që aplikohen për këto projekte ka sjellë vonesa të konsiderueshme dhe, për rrjedhojë, mosrealizim të tyre.Mosrealizimet më të theksuara janë në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, veçanërisht në sektorët e transportit dhe ujësjellës-kanalizimeve. Mosrealizime të projekteve me financim të huaj konstatohen edhe në disa ministri të tjera. Për këtë arsye, nga këto ministri është kërkuar reduktimi i tavanit të financimit të huaj dhe rritja e tavanit të financimit të brendshëm, sqarojnë burimet zyrtare të Ministrisë së Financave.Ndërkaq projektet e financuara me fondet e buxhetit kanë pasur një ecuri më të mirë. "Shpenzimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 105.3 për qind, duke qenë 0.6 miliardë lekë më të larta se niveli i planifikuar. Në krahasim me vitin e mëparshëm, këto shpenzime janë më të larta" theksohet në raportin e ministrisë së Financave.Në këtë dokument, financat pranojnë edhe mosrealizimin e shpenzimeve për shlyerjen e detyrimeve të prapabetura, që janë realizuar në masën 84 për qind, duke krijuar një deficit në buxhet prej 2.4 miliardë lekësh./Oranews.tv/