Largimi i Ndokës, Kuvendi brenda 30 ditësh duhet t'i drejtohet KQZ për vakancën
Pas dorëzimit të mandatit nga ana e deputetit, Arben Ndoka, përfaqësues i qarkut të Lezhës, Kuvendi brenda 30 ditësh duhet t'i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të njoftuar vakancën e krijuar. Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.Nëse shohim listën e kandidatëve të PS për qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 21 qershorit shohim se mandati duhet t'i kalojë Ndrec Ndue Dedajt, i cili aktualisht mban postin e kreut të bashkisë së Mirditës. Është zgjedhje e tij nëse do të mbajë mandatin e kreut të bashkisë apo të dorëhiqet për të marrë mandatin e deputetit.Kodi Zgjedhor saktëson se nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, që në këtë rast është Eduard Ndocaj.Por ky nuk është i vetmi problem për PS në këtë qark. Nëse Armando Prenga do të dënohet me vendim të formës së prerë, atëherë edhe mandate i tij do ti dorëzohet emrit të radhës në listë, pro që në rastin konkret është Kastriot Piroli i arrestuar në mars të këtij viti me akuzën për falsifikim dokumentesh e shëprdorim detyre si ish-drejtor i Hipotekës në Kurbin. Ndërsa dy gratë në listën e PS kanë deklaruar prej kohësh se nuk dëshirojnë të marrin mandatin e deputetes.Edhe në këtë rast Kodi Zgjehdor e ka përcaktuar zgjidhjen. "Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë, që në këtë rast është LSI./Oranews.tv/