Rama e Shehaj me tatimorët e Vlorës: Kush pengon aksionin, do ndëshkohet
Kreu i qeverisë, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj, ka zhvilluar një takim me dyer te mbyllura me administratën tatimore në Vlorë.Mësohet se gjatë takimit u diskutua mbi aksionin kundër informalitetit dhe vendosjen e prioriteteve.Kryeministri ka qenë edhe një herë i qartë në mesazhet e tij: Kush bëhet pengesë e proçesit të cilin ai e cilësoi historik, do ndëshkohet në bazë të dispozitave që parashikon ligji.Rama: “Ky është një revolucion ekonomik dhe ju e kuptoni këtë shumë mirë. Formalizimi i ekonomisë, dhënia kujtdo atë që i takon, fitimi i ligjshëm i cilitdo që bën sukses në veprimtarinë ekonomike apo që mban familjen e vet në punë me një biznes të vogël është domosdoshmëri që të mbrohet me çdo kusht nga shteti. Ndërkohë që nga ana tjetër, çdo qindarkë që u takon qytetarëve në formë investimesh, ulje taksash dhe shërbimesh më të mira do të shkojë në arkën e shtetit. Kush del ndesh dhe kush i bëhet pengesë këti proçesi historik do të marrë ndëshkimin që parashikon ligji”.Pas takimit që zgjati rreth 1 orë e 30 min, Kryeministri ka lëvizur në këmbë për të inspektuar në supermarketin më të afërt.Sipas Drejtoreshës së Tatimeve në Vlorë, Pranvera Resulaj, aktualisht në terren janë 44 grupe pune që po verifikojnë ligjshmërinë e bizneseve.Vlora ka qenë një ndër qytetet e konsideruar si më problematike sa i përket evazionit fiskal, përdorimit të kasës fiskale dhe regjistrimit të bizneseve.