Hetuesit konfirmojnë mbetjet e avionit malajzian

Hetuesit francezë konfirmuan zyrtarisht se pjesa e avionit gjetur në ishullin Reunion në Oqeanin Indian, i përket pikërisht avionit të fluturimit MH370 të linjës "Malaysia Airlines" të zhdukur në marsin e vitit 2014.Njëri krah i avionit u gjet më 29 korrik në ujërat e ishullit dhe menjëherë më pas u dërgua në Francë për identifikim. Hetuesit francezë thanë se hodhën më në fund dritë për misterin që shoqëroi fatin e avionit të zhdukur, për 239 pasagjerët në bord dhe mbi të gjitha për familjet e tyre.Pas gjetjes së krahut, që shërben si balancuese e ajrit gjatë fluturimit, tashmë hetuesit duhet të kenë një ide për hapësirën se ku mund të jetë rrëzuar avioni dhe ku mund të gjenden mbetjet e tij, por me shumë gjasa kërkimet do të nisin në jug të Oqeanit Indian, në bregdetin e Australisë.Por ka ende shumë pikëpyetje për ngjarjen, se kush e komandoi avionin dhe përse ka rënë, përgjigjet e të cilave mund ti zbulojë vetëm kutia e zezë.Vetë autoritetet malajzeze deklaruan se ngjyrat dhe punimet e pjesës së gjetur, përkonin me ato të avionit Boing 777 ndërsa në krahun e zbuluar në ishillin e kontrolluar prej Francës, edhe numri serial përkonte me atë të Boingut MH370.Avioni u zhduk nga radarët teksa fluturonte nga Kuala lampuri drejt Pekinit me 239 pasagjerë në bord, shumica prej të cilëve kinezë. /Oranews.tv/