Shiroka turistike, bukuritë e papromovuara shijohen çdo ditë nga shkodranët

E cilësuar një lagje e Shkodrës, Shiroka, një prej bukurive mahnitëse të veriut shfaqet si një afresk me liqenin, malin dhe ajrin e pastër. Pushuesit ditorë, kryesisht nga Shkodra, janë ata që frekuentojnë zonën turistike, rrëze malit të Taraboshit.Vetëm 4 kilometra larg qytetit të Shkodres, pasi lë "Urën e Bunës" dhe merr rrugën në të djathtë të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më të veçanta në kryeqendrën e veriut.Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, rrëzë malit të Taraboshit, duke e bërë Shirokën një nga joshjet më të veçanta për të kaluar disa orë ndryshe për Shkodranët, por edhe turistët nga të gjitha trevat Shqiptare dhe përtej tyre.Investimet e viteve të fundit, kësaj zone i kanë ndryshuar faqen, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe shumë shpejt kjo qender turistike do të ketë edhe një port për varkat lundruese.Pjesa më e madhe e frekuentuesve të këtij plazhi përdorin biçikletat për të mbërritur deri aty, mundësi që e krijon afiniteti i plazhit me qytetin. Të kënaqur për rikthimin e frekuentimit masiv të Shirokës janë edhe vetë qytetarët Shkodranë. I gjithë ky fluks vizitorësh, patjetër që ka dhënë ndikimin në fushën e biznesit, investimet e të cilit vitet e fundit në këtë zonë kanë ardhur në rritje. Kjo është Shiroka e vërtetë, asaj po i rikthehen miqtë e saj të vjetër.Shiroka ka në dispozicion një pamje madhështore të rreth 360 km katror ujë dhe male në formë kurore anash, të një kufiri të gjatë midis Shkodrës dhe Podgoricës dhe rrethimit me shqiptarë nga ana e Krajës në Malin e Zi dhe nga ana e Koplikut dhe Bajzës.Fshati Shirokë, sot lagje e qytetit, ka histori qindra vjecare dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike që janë bërë në afërsi të tij, në vendin e quajtur "ullini i vetun", në vitin 1959, të cilat sot gjenden në muzeun e qytetit. Dëshmi tjetër janë muret e vjetra përgjatë rrugës së re të ndërtuar së fundmi. E njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative edhe në Europë, Shiroka shumë shpejt do të bëhej një nga zonat më të famshme në vend, para viteve 90' dhe më pas. Historia e Shirokës është magjepse, është dashuri më vete për Shkodranët.Në këtë zonë turistike jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët. Numërohen gjithsej 240 lloje, ku më shpesh syri të ndesh pulëbardhat. Për të apasionuarit e peshkimit fauna ujore ofron rreth 65 lloje peshqish. Më i famshmi krapi, karasi, gjuca etj. Kjo pasuri e faunës dhe florës, e bën këtë zonë një ekosistem shumë të veçantë dhe atraktiv. Shiroka të ofron variacione, pasi mund të bëni plazh, të merreni me peshkim, të bëni shëtitje me varkë apo të ngjiteni në mal.23 56 12 452 1