Zëvendësministri Selimi takon ambasadorët e Kuintit për UNESCO-n

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës po vazhdon me përgatitjet teknike dhe lobuese për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO).Gjatë ditës së sotme, zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, priti në një takim ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të Kuintit në Kosovë, ku u diskutuan sfidat dhe strategjitë e përbashkëta të komunikimit, nevoja që Republika e Kosovës të vazhdojë të respektojë standardet më të larta të ruajtjes së trashëgimisë kulturore si dhe aspekte të tjera teknike të procesit të anëtarësimit.Ambasadorët e Kuintit konfirmuan mbështetjen e tyre të plotë Kosovës në përpjekjet e saj për anëtarësim në UNESCO.Gjatë javës që lamë pas, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u ka dërguar letra 195 homologëve të shteteve anëtare të UNESCO-s për t’i informuar rreth mbarëvajtjes së procesit dhe për të kërkuar votën e tyre në takimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që do të zhvillojë punimet në tetor si dhe në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor të këtij viti.Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO, ndërsa do të përmbyllë aplikimin në disa organizma të tjerë të rëndësishëm multilateralë deri në fund të këtij viti.