Festa e Fiter Bajramit në qytetet e Shqipërisë
Besimtarët muslimanë në të gjithë Shqipërinë festuan festën më të rëndësishme në kalendarin islamik Fiter Bajramin.ELBASAN- Mijëra besimtarë myslimanë janë mbledhur në sheshin kryesor "Aqif Pasha" në qendër të qytetit të Elbasanit për të kremtuar këtë festë të rëndësishme.Myftiu i Elbasanit, Agim Duka i ka uruar besimtarëve Fiter Bajramin, ndërsa thekoi se e keqja e madhe që po vret muslimanët, po i kalon kufijtë sidomos në Lindjen e Mesme, dhe po drejtohet drejt Ballkanit dhe Mesdheut.Ky shtet terrorist i krijuar mbi gjakun e muslimanëve, është një kërcënim, jo vetëm për rajonin, por për mbarë botën.
DURRËS - Pas një muaj argjërimi e sakrifice edhe në Durrës qindra besimtarë musliman janë falur në xhaminë e madhe në qendër të qytetit bregdetar. Për shkak të numrit të lartë në lutjen e mëngjesit, një pjese e besimtarëve i kryen ritet e faljes jashtë xhamisë. Falja është drejtuar nga imami i xhamise së Durresit, Ervin Qylafku.
LUSHNJË - Besimtarët muslimanë të Lushnjës këtë vit e kanë falur namazin e Fiter Bajramit në sheshin qendror. Përfundimi i këtij investimit në qendët të qytetit këtë mëngjes ka shërbyer edhe për faljen e namazit. Lutja e mëngjesit u drejtua nga imami, Hysni Çela.
FUSHË-KRUJË - Falja e Fiter Bajramit në Fushë-Krujë u krye në stadiumin e futbollit "Redi Maloku". Qindra besimtarë të ardhur edhe nga fshatrat e Krujës rituan në faljen e Fiter Bajramit në përmbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në krahasim me vitet e tjera këtë vit binte në sy numri i lartë i femrave.
KUKËS - Qindra besimtarë muslimanë, të Kukësit, por edhe të ardhur nga Kosova kanë falur së bashku namazin e Fiter Bajramit, duke u lutur për më shumë harmoni, begati, në çdo familje shqiptare. Menjëherë pas faljes së Namazit, besimtarët uruan njëri-tjetrin, dhe siç është traditë bënë vizita në familjet e të afërmve dhe miqëve për të uruar një vit më të mbarë.
/Oranews.tv/